Sqarim për opinionin publik lidhur me pretendimet e fundit kundër emrit tim
Që nga fillimet e mia politike, si në nivelin lokal, poashtu edhe në atë qendror, kam shërbyer me qëllimin më të mirë për vendin dhe gjithmonë në suaza të ligjit, asnjëherë e në asnjë kohë ndryshe.
I garantoj qytetarët e mi, se jo vetëm në rastin e apostrofuar por në asnjë rast tjetër, nuk kam rënë ndesh me ligjin, por vetëm i kam kryer detyrat e mia konform autorizimeve që i japin të njëjtat.
Lidhur me shpifjet e ditëve të fundit nga persona të ditur për opinionin, i’u bëj thirrje organeve kompetente që ta sqarojnë rastin deri në fund. Njëkohësisht e vë vetën në dispozicion, në çdo kohë për sqarimin e rastit në fjalë dhe për secilin rast tjetër prej kohës që jam në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.
Puna e madhe e Qeverisë Haradinaj në përgjithësi dhe sukseset e dëshmuara të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit në veçanti, nuk u pëlqejnë të gjithëve, prandaj ne jemi të përgatitur për këto sfida.
I siguroj miqtë e mi, se unë, Rexhep Kadriu, jam po i njëjti, aktiv dhe i vëmendshëm në punë, në dobi të qytetarëve të Kosovës. Në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk kam lejuar veten që të ndërhyj në punët e të tjerëve e aq më pak në administratë.
Kjo është veçse një fushatë e pa faktuar, tendencioze, me qëllimin final shkatërrimin e integritetit tim personal dhe të familjes time, para së cilës ne nuk do të lëkundemi.
Ju garantoj se përfundimi i gjithë kësaj maskarade do të na nxjerrë faqëbardhë dhe të fituar.