Rrethanat e reja politike në vend dhe rrjedhimisht shkuarja në zgjedhje të reja, ka ndikuar që edhe në rajonin e Anmoravës të ketë zhvillime të papritura politike dhe befasi. Situata politike në këtë anë ka filluar të marrë kahje tjetër dhe duket se atmosfera do të jetë e ‘nxehtë’, pasi politikanët e kësaj ane, kanë shfaqur ambicie politike të cilat pritet të sjellin pasoja në qoftë se gjërat funksionojnë në favor të tyre.
Partitë politike janë mobilizuar por ende nuk ka lëvizje të mëdha, ambiciet nga figurat e njohura të politikës nuk mungojnë.
Kjo anë cilësohet si hambarë i madh për vota dhe partitë dhe politikanët janë koshient për këtë fakt. Megjithëse ende nuk dihet kur do të mbahen zgjedhjet në Kosovë, partitë politike tashmë po sillen thuajse ka filluar fushata paraelektorale.
Shihet se subjektet politike, gati çdo ditë po zyrtarizojnë prurjet e reja, duke u bërë gati për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme që pritet të mbahen në Kosovë, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit.
Një lajm dje befasoi opinionin që erdhi nga partia e Ramush Haradinajt.
Ish-kryetari i Vitisë, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Samet Dalipi, është larguar nga partia së cilës i ka takuar për 30 vjet.
Ai la LDK-në e Isa Mustafës dhe i është bashkuar AAK-së, së kryeministrit në dorëheqje. Dalipi ndonëse nuk e ka pohuar se mund të jetë kandidat i kësaj partie për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, është një kuadër i fortë për këtë kandidaturë. Ani pse ende nuk dihet se kush do të jetë oponentët e tij politik në garën e mundshme zgjedhore.
Në kryeqendrën e rajonit, Gjilanin, situata politike po sjellë ndryshime dhe të papritura. Hiq më pak se 244 anëtarë të ri iu bashkuan së fundmi Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan e në këtë ngjarje mori pjesë edhe vetë lideri i kësaj partie Haradinaj.
Përkrah aderimeve të reja në AAK-në e Gjilanit u pa edhe vetë Bajram Hasani, ish-ministri i Tregtisë në Qeverinë Haradinaj nga Nisma e Fatmir Limajt.
I pakënaqur me partinë e Limajt, ai u largua duke kaluar te Haradinaj kur veç në Kosovë rrethanat politike jepnin sinjale se mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.
Nisma Socialdemokrate, e humbi Bajram Hasanin dhe kjo duket se do ta ketë ndikimin e vetë tek anomaravasit. Por, edhe një figurë tjetër e këtij subjekti politik që i dha një karrige në organin më të lartë komunal doli se është i pakënaqur.
Rasim Terziu muajin e kaluar u deklarua si këshilltarë i pavarur i Kuvendit Komunal të Vitisë, duke dhënë dorëheqje nga Nisma për arsye të ndryshme.
Një veprim të tillë, e bëri edhe Samet Idrizi i PDK-së i cili dha dorëheqje nga partia e Kadri Veselit e për këtë u kritikua shumë nga ish-bashkëpartiakët e tij, për mos besnikëri. Idrizi tha se dëshiron të funksionojë si këshilltar i pavarur komunal në Vitinë e drejtuar nga LDK-ja.
Kjo e fundit, liderin e saj për Anamoravë, Lutfi Hazirin sipas lajmeve të fundit mësohet se e ka favorit të partisë për Kryeministër.
Haziri që është kryetari i Gjilanit, do ta ketë një garë aspak të lehtë në këto zgjedhje, pavarësisht se si do të jetë pozicioni i tij përfundimtar në këtë proces.
Politikani gjilanas është kryetari i një komune për të cilin ka zëra se mund të jetë pretendentë për Kryeministër që e bën njeriun e parë të Anamoravës për postin kryesor të shtetit. Nuk dihet nëse Haziri do të lë postin e kryetarit të komunës e të bëhet Kryeministër.
Ai deri tani është deklaruar se qytetarëve u duhet një erë e re e qeverisjes në Kosovë dhe kjo sipas tij, arrihet vetëm me LDK-në. Të njëjtën gjë e thonë edhe ata të Vetëvendosjes. Partia e Albin Kurtit, e cila ka dal mirë në sondazhet e fundit, në këtë rajon është rritur pas aderimit të disa anëtarëve të rinj, në mesin e tyre intelektualë të fushave të ndryshme. Por, krahas nivelit qendror në qendrat e LVV-në si në Viti, Gjilan e Kamenicë, nuk janë parë akoma lëvizje të mëdha në frymën e tanishme zgjedhore. Por, kjo mund të ndryshojë, pasi ky subjekt politik vazhdimisht është shprehur e gatshme për zgjedhje të reja, e kësaj here, siç thonë ata, më të fortë se kurrë.
Një tronditje pothuajse të pariparueshme VV e ka përjetuar me largimin e deputetit Salih Salihu në PSD, njeriun të cilin për dy palë zgjedhjesh e provuan për ta marrë pushtetin lokal në Viti, por më i zoti për këtë doli rivali i tij politik, Sokol Haliti i LDK-së, e cila po qeverisë këtë komunë viteve të fundit.
Haliti që në zgjedhjet e fundit lokale fitoi pa balotazh, duket se ka ambicie për të garuar në këto zgjedhje. Po flitet se ai mund të jetë kandidat për deputet, por ende s’ka asgjë të konfirmuar, komentet e kësaj natyre në opinion Haliti nuk i ka marrë shumë seriozisht e s’ka reaguar akoma.
Veçse nga një matje e opinionit nga redaksia e Televizionit Plus dhe Radio Star në Gjilan, shihet se Sokol Haliti ka kogja përkrahje nga vitiasit dhe jo vetëm, për tu bashkuar strukturave qendrore të pushtetit qoftë si deputet apo pozitë tjetër në Qeverinë e re.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, angazhimi në komunë Hazirin e Halitin nuk po i pengon të synojnë diçka më shumë, por mbetet te shihet se çka do të marrin e çka do të lënë apo do të i’a dinë më shumë vlerën asaj çka veç e kanë, pushtetin lokal. Varet nga vullneti i qytetarëve e kjo është vlerë demokratike.
Krahas tyre, AAK-ja e zv, Ministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriut në Gjilan dhe ajo e Vitisë e politikanit Faruk Nura, po shpresojnë se po fuqizohet me prurjet e reja. Nga ajo që është parë deri tani shihet se Rexhepi e Nura do ta koncentrojnë fushatën e tyre në sukseset që thonë se i ka arritur shefi i partisë së tyre, për aq kohë sa ishte Kryeministër. Këta e kanë mirëpritur aderimin e Samet Dalipit në parti. Njëjtë siç dikur bëri Nura kur u largua nga LDK-ja.
E PDK- e cila dikur qeverisi komunat e Anamoravës, është krenuar pasi një figurë e mirënjohur e këtij rajoni, Farush Azemi, i është bashkuar këtij subjekti, duke e pasur si alternativë të mirë për ta garuar në zgjedhjet parlamentare për deputet, ndonëse ai është i ri në jetën politike.
Ndërkaq, si rezultat i zhvillimeve politike, deputetëve aktual të Anamoravës që vijnë kryesisht nga këto parti, u ka mbetur legjislatura në gjysmë e të njëjtit do të duhet t’i përvishen punës sërish në zgjedhjet që po vijnë, por mbetet të shihet ku e si do ta fokusojnë fushatën e tyre para elektoratit.
Por, gjasat janë se nëse politikanet Haziri e Haliti, fitojnë pozita në institucionet qendrore pas pjesëmarrjes në zgjedhje, mund të vije deri tek zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto dy komuna, Gjilan e Viti.
Partitë politike veç kanë nisur t’i bëjnë matematikat e tyre, sa i përket garës së ardhshme zgjedhore, por e vërteta është që qytetarët presin që gjendja të përmirësohet në vend pas zgjedhjeve, pavarësisht kalkulimeve e pazareve që bëjnë partitë në fushatat e tyre zgjedhore. /PlusTv/