“Jam paragjykuar gjithmonë, kundërshtarët më kanë ofenduar, por asnjëherë nuk jam dorëzuar”, kështu e fillon rrëfimin Kastrati. Ai tregon për një pjesë të jetës e cila si duket vetëm e ka bërë më të fortë atë.
Ndoshta të gjithë e kanë vërejtur, disa prej tyre e injoruar dhe disa të tjerë e kanë talluar, ashtu siç bëjnë jo rrallë herë edhe kundërshtarët në fushën e lojës. Por, shenja që ka në fytyrën e tij është shenjë e moralit, karakterit dhe forcës së një futbollisti si Ylber Kastrati që ka ditur ti përballojë të gjitha këto vuajtje në mënyrë që sot të jetë një “kapiten nderi” ashtu siç e quajnë tifozëria e tij “Skifterat”, shkruan Gazetasheshi, përcjellë jepizë06.
Në fundjavë ai u përball sërish me një situatë e cila është jo pak e njohur për të, teksa disa nga futbollistët e Ferizajt e kishin tallur për shenjën e tij në fytyrë. Megjithëse vetë Kastrati nuk pranon të flas në lidhje me kolegët e tij në fushën e lojës, pasi që i konsideron si momente adrenaline, ai ka vendosur të flas për herë të parë për këtë temë dhe ekskluzivisht për Gazetën SHESHI.
“Shenjën që e kam në fytyrë e kam nga lindja. Nuk është që unë e ndjej atë si defekt, pasi që krijuesi më ka dhënë shëndetin dhe gjithë të mirat, megjithëse duhet të pranoj se gjatë viteve kam kaluar momente shumë të vështira, sidomos kur isha fëmijë, pasi që jam paragjykuar gjithmonë dhe e kam patur të vështirë inkuadrimin në shoqëri”, fillon rrëfimin i emocionuar Kastrati.
Ai tregon se si kishte mundësinë të operohej për ta zhdukur shenjën nga fytyra, por që refuzoi, pasi që e konsideron atë si një shenjë force dhe krenarie për ti kaluar të gjitha sfidat e tjera që ka pranë vetës.
“Si familje kemi qëndruar githmonë mirë financiarisht, kjo edhe falë ndihmës së babit, i cili në moshën 16 vjeçare ka hulumtuar në Turqi për një intervenim në shenjën që kam në fytyrë, por që nuk kam pranuar, pasi që unë nuk e kam ndjerë aspak si defekt, por si një shenjë që më jep forcë për ti kaluar të gjitha vështirësitë në jetë. Me kalimin e kohës e kam kuptuar që në këtë botë, shëndeti, familja dhe besimi në krijuesin janë gjërat më të rëndësishme në jetë dhe që ndihmojnë ta ndërtosh një jetë të lumtur, kështu që shenja është vetëm një e kaluar që më jep forcë për të ardhmen”, vazhdoi rrëfimin e tij Ylberi.
Ai tregon se jo rrallë herë ndodh që brenda fushës së lojës kundërshtarët ta ngacmojnë, apo edhe ofendojnë për shenjën që ka, por Kastrati tregon vlerat e tij, teksa i vë fajin adrenalines së lojës dhe jo kolegëve në anën tjetër të fushës.
“Ka moment që edhe në fushën e lojës, ose edhe nga tifozët rival që e vërejn shenjën time në fytyrë dhe përdorin fjalë ngacmuese dhe shpesh herë edhe ofenduese. Por, unë nuk mbaj inate me askënd, sepse janë çaste të lojës, adrenalina është në nivelin më të lartë të mundshëm, inatet janë të ngritura dhe mund të ikën ndonjëherë edhe gjuha. Në rradhë të parë ne jemi natyrë njerëzore dhe jemi të prirur për të gabuar, por unë besoj se të gjithë pendohen pas ndeshjes sepse jeta është e tillë dhe në vazhdimësi na korrigjon”, potencoi kapiteni i ‘kuqebardhëve
Në fund ai ka falenderuar gjithë tifozërinë “Skifterat” dhe personat nga të cilët mori mesazhe inkurajuese këto ditë, teksa thekson se shenja e tij dhe zemra e tij janë gjithmonë të “kuqe”.
“Është e vërtetë që kam pranuar mesazhe të pafundme këto ditë dhe unë dua ti falenderoj sikurse tifozërinë e jashtëzakonsme “Skifterat”, po ashtu edhe gjithë njerëzit e tjerë që më kanë dërguar mesazhe inkurajuese dhe përkrahëse. Unë vërtetë e kam shenjën e kuqe në fytyrë, por zemra ime mbetet e bardhë dhe unë mbes “kuqebardh” gjithë jetë”, mbylli deklaratën e tij Ylberi.