Të dashur besimtarë serioziteti i myslimanit në jetën e tij është një porosi Hyjnore. Sepse obligimet në jetë janë më shumë se kohën që e ka njeriu. Andaj, patjetër duhet që të jemi serioz në mënyrë që të përfitojmë prej kohës sonë, që t’i kryejmë përgjegjësitë tona dhe të arrijmë synimet tona. Sot, kemi nevojë shumë që të jemi syhapur dhe shumë serioz në jetë, pasi që jetojmë në një kohë kur pakujdesia, joserioziteti, pasinqeriteti, dëshira për ta kaluar kohën kotë janë shumë prezentë. Myslimani vazhdimisht duhet të jetë në angazhim, sepse edhe uji i cili nuk qarkullon por qëndron në një vend nuk mund të jetë i pastër për përdorim.
Sikur t’i bëjmë një vështrim serioz jetës së njeriut të parë në sipërfaqen e tokës, Ademit alejhi selam, do shohim se mëkati i parë nga njeriu mbi sipërfaqen e tokës është mu për mos seriozitetin e njeriut dhe që këshillat dhe porosit nuk janë marr seriozisht. Allahu urdhëroi Ademin alejhi selam që të banoj në xhennet dhe të hajë nga të gjitha të mirat e xhennetit, përveç një peme të cilën ia kishte ndaluar. Por, Ademi alejhi selam si duket nuk e kishte marr me seriozitet këtë çështje, harroi, u mashtrua nga djalli dhe ngrëni nga kjo pemë. Allahu tha: “Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur” ( Ta ha 115).
Të flasësh për seriozitetin që duhet ta ketë myslimani në jetën e tij, kjo nuk do të thotë që jeta e tij mos të ketë hapësira për një pushim të trupit të tij, dhe një qetësi për shpirtin e tij. Sepse njeriu nëse e ngarkon vetën vetëm me punë, pa pushuar fare, lodhet dhe verbërohet nga jeta. I Dërguari i Allahut gjende kohë në jetën e tij, edhe për të bërë shaka me shokët e tij, por ai bënte shaka vetëm me të vërtetën. Poashtu kur i pëlqente diçka ai buzëqeshte. Ai, shpesh herë bënte gara me shokët e tij, sikur që ishte rasti i tij, në garat në mundje, apo me bashkëshortet e tij, sikur që ishte rasti i garës në vrapim me Aishen, bashkëshorten e tij. Por nuk ka lejuar që në jetën e tij, të triumfoj dëfrimi, loja, shakaja, neglizhenca, pakujdesia. Allahu thotë: “S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve” ( Nisa’ 114). Allahu kur përçmon këtë botë dhe ulë vlerën e sajë, nuk ka për qëllim që myslimani të neglizhojë atë, apo t’ia ulë vlerën asaj, por ka për qëllim, mos seriozitetin e njeriut në të, zhytjen e tij, në kënaqësitë që pastaj njeriu nuk njeh kufij dhe as norma. Në këtë kontest Allahu thotë: “Jeta e kësaj bote, nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë” ( Ankebut 64). Pastaj po në të njëjtin ajet tha: “Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!” ( Ankebut 64). Sikur që Allahu na tregon se asgjë në këtë botë nuk ka krijuar sa për dëfrim e lojë. Por, ç’do gjë që ka krijuar, ka në të urtësi të shumta. Allahu thotë: “Ne nuk e kemi krijuar qiellin dhe Tokën e ç’gjendet në mes tyre, për të luajtur (pa qëllim). Sikur të donim argëtim, Ne do ta bënim me gjërat pranë Nesh (si engjëjt, hyrijet etj.), nëse do të bënim diçka të tillë” ( enbija’ 16,17).
Ai, i cili mediton Kuranin sheh se thirrja në seriozitetin e jetës, të kapurit fort për Librin e Allahut, angazhimi dhe përpjekja e besimtarit, urdhri për punë dhe shpejtimi në të, ndalimi nga fjalët e kota nga të cilat nuk ka ndonjë përfitim, tërheqja e vërejtjes nga neglizhenca, pakujdesia të gjitha këto tregojnë se myslimani në jetën e tij, duhet të jet një njeri serioz, shumë i përkushtuar, me synime të qarta, i sinqertë dhe i pa luhatur.
Serioziteti në kapjen për fenë e Allahut dhe përkushtimi në kryerjen e detyrave të sajë: “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij” ( En’am 162-163).
Serioziteti në ndjenjën e përgjegjësisë për të thirrur në rrugën e Zotit, kuptimin e sajë, me fjalë me edukatë dhe me vepra: “Thuaj: “Kjo është rruga ime: të ftoj drejt Allahut me dituri të plotë, unë dhe çdokush që më pason mua. I përlëvduar qoftë Allahu; unë nuk jam prej idhujtarëve!” ( Jusuf 108).
Serioziteti në dije, në mësim dhe në të mësuar, që me dije së pari njeriu ta largoj injorancën nga vetja e tij, pastaj nga njerëzit tjerë, duke ua mësuar atë që e ka mësuar për vete. Ai, i cili është serioz në dijen e tij, dhe në të mësuarit që e bënë, Allahu ngritë vlerën e tij: “Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që punoni” ( Muxhadele 11).Serioziteti në jetën shkollore. Nxënësi në mësimet e tij, studenti në specializimet e tij, drejtori në menaxhimin me mësues, nxënës dhe student, mësuesi në dhënien e diturisë së tij. I Dërguari i Allahut thotë: “ Allahu e lavdëron atë që ua mëson njerëzve të mirën, ndërsa melaqet, banorët e qiejve dhe tokës, gjersa edhe milingona në shtëpinë e sajë, e edhe balena në det luten për atë që ua mëson njerëzve të mirën”.
Serioziteti në angazhimin dhe përpjekjen për edukimin e fëmijëve tanë. Ata, janë përgjegjësi e jona:“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato ( Tahrim 6).
Serioziteti në aspirata, synime, ngritje në grada dhe vlera të larta. Serioziteti në punë dhe angazhim, në mos lodhje. Sepse aspiratat e njeriut pa punë dhe angazhim janë të dështuara dhe mund të mbesin vetëm iluzione sa për t’ia bërë qejfin njeriu vetës së tij. Andaj, myslimani serioz, duhet të ketë synime të qarta, dhe aspiratave të tij, t’ia shoqëroj punën, angazhimin, përpjekjet, të ketë një program dhe një projekt konkret për t’i arritur synimet dhe aspiratat e tij.
Të nderuar vëllezër besimtarë! Të nderuar mësues, prindër dhe nxënës!
Shfrytëzoj rastin që t’ua uroj fillimin e vitit të ri shkollor 2019-2020. Ky trekëndësh i formuar në pikat nxënës, prind dhe mësues, kërkon një seriozitet dhe një angazhim të përbashkët. Dije mësues i nderuar se Allahu të ka zgjedhur ty të jesh prej atyre që fëmijëve tanë t’ua mësosh atë që është mirë dhe e dobishme për ardhmërinë e fëmijëve tanë. Bëhu i sinqertë dhe serioz në punën tënde. Dije se detyra e juaj para se të jetë profesion, është mision. Ne, fëmijët tanë t’i kemi lënë amanet ty, andaj ipja hakun këtij amaneti. Nëse ti, je i sinqertë dhe me frikë ndaj Zotit angazhohesh ne përmbushjen e obligimit tënd, Allahu do të jap suksesë, do të bëjë të dashur tek nxënësit dhe kolektivi, si dhe do të ngris në shkallë të larta.
Dhe ju prindër!
Mos neglizhoni përgjegjësinë e Allahut që keni për fëmijët Tuaj. Të jeni në përkujdesje dhe në përcjellje të vazhdueshme të tyre. Këshilloni ata vazhdimisht në nxënien e diturisë, joshni ata me gjëra të mira. Këshilloni që ata të kenë respekt ndaj dijes, mësuesit dhe institucionit. Dijeni se angazhimi më i madh i juaji është angazhimi ndaj fëmijëve. Përpiquni që të mbillni tek ata besim, frikë ndaj Zotit, edukatë dhe respekt. Mos lejoni që fëmijët tanë t’i edukoj koha, rrethi dhe rrugët tona. Allahu nuk humb mundin e askujt që angazhohet dhe përpiqet për fëmijët e tij.
Edhe ju nxënës!
Të jeni serioz në mësimet e juaja. Le të jetë ky vit, vit i një fillimi më të mbarë dhe më të suksesshëm. Shfrytëzoni kohën e shtrenjëtë që e keni. Angazhimi i juaj le të jetë i vazhdueshëm. Ne, prindërit presim shumë prej juve. Suksesi i juaj është suksesi ynë, ndërsa dështimi juaj është edhe dështim ynë. Respektoni prindërit e mësuesit, Sepse ata harxhojnë djersët e tyre për Ju. Zoti iu dhashtë suksese në mësime.
Autor: Hoxhë Shaban Murati
Memorizues i librit të shenjët KUR’AN-I,t.
Imam në Xhamin “Dardania II” Gjilan.
02 shtator 2019
Gjilan.