Është shumë normale që të kemi edhe kundërshti, sepse bindjet politike janë ato që nuk lejojnë të pranohet suksesi i tjetrit, sidomos në një atmosferë politike ku inatet i mundin arsyejet. Kjo, nuk domethënë që nuk pranohet në heshtje, të gjithë e kuptojnë se ka ndryshime, porse ngjyrat politike e pamundësojnë të pranohet publikisht.
Dy vite qeverisje, dmth gjysmë mandati, Kosova ka ndryshua për të mirë. Sot, kemi një situatë ndryshe nga ajo e para dy viteve. Përderisa ishte një disponim fatkeq që sa më shumë e sa më shpejtë të iket nga Kosova, tani kemi një disponim shpresdhënës që sa më urgjent e sa më të bashkuar ta mbrojmë Kosovën, sovranitetin, tërësinë territoriale. Ka prej atyre që gotën e shohin gjysmë të mbushur, dhe prej atyre që duan ta shohin gjysmë të zbazur. Ne, duam ta shohim duke u mbushur, sepse e kaluara historike na e thonë këtë.
Po takojmë qytetarë, gra e burra, të reja e të rinjë, gjitha moshat e gjitha shtresat. Secili i ka përshtypjet e veta për zhvillimet politike, por emëruesi i përbashkët është; Kosova duhet të jetë 100% shtet. Është investua për këtë ditë, andaj domosdo duhet të angazhohemi të krijojmë një qeverisje e cila i mbyllë këto tema pa u cenuar as territori, as kufijtë, e as shtetësia. Nuk duhet të ketë tema që e prekin 17 shkurtin e 2008-së, aq më pak të ketë nënshtrime e servilizëm ndaj të tjerëve. Jemi në të drejtën tonë, dhe të këmbëngulim për të.
Kosova 100% shtet, është obligim i secilit politikanë, i secilit qytetarë!