Korzoja e qytetit, djemtë dhe vajzat atëherë – stili i veshjes, takimet, puthjet e fshehta…
Në jetën e gilanasve të rinj çdo gjë ishte ekologjike: natyra, lumi, shpirti, dashuria…
Gjilani dikur – kthimi në kohë
Ah Gilan, ah zaman, kujtimet nga korzoja e qytetit të Gjilanit
/ Pjesa e parë/
Ecje nëpër kohë – gjurmë në kujtime
Rrëfimi i dr. Shevcet Mehmetit për korozon e qytetit të Gjilanit, me episode shumë interesante… Lexo dhe kujto të kaluarën, është jeta e shumë brezave, ndërsa më të vjetrit kanë plot kujtime për atë kohë. E djeshmja nuk fshihet me gomë, ajo jeton në mbamendjen e njerëzve, është kthyer në legjendë dhe do të bashkëjetojë në ndjenjat dhe kujtimet tona.
Lexim të këndshëm…
1.
Kur korzoja zbrazej në orën 23:00 (11:00 të natës), duke lënë vetminë e rrugës kryesore, në formën lakuriq, thuase gjithë ata njerëz që kaluan deri atëherë dukeshin si mashtrim; thuase kanë ardhur nga një dubiozë e shpirtit te errësuar të një kohe që ka shkuar shumë herët, e që unë isha deshimtar.
Korzoja zgjatej nga kthesa për tregun e gjelbërt te Shtëpia e Mallrave e deri te Shkolla “Vuk Karaxhiç” dhe prapa…
Isha në shkollën fillore në klasët e ulta, qyteti e kishte rrugën kryesore të mbuluar me kubëza 10X10 cm. Në anën e djathtë ishin shitoret njëkatëshe dhe e vetmja ndërtesë dykatëshe me teracë që ishte e “16 Nentorit “, në të cilën punonte xha Ismajli. Parku nj qendjr kishte plot trjndafila. Gjatë ditës aty- këtu kalonte ndonjë fiqë, Skodë, ose ndonje “PZ”.
Gjatë ditës tek te rinjtë vlonin idetë për përgatitje për të dalur në korzo në orët e mbrëmjes. Në shtëpia vajzat e reja shkëmbenin mendimet si do të vishen, me kënd do të dalin, bile programonin edhe gjestet që duhet bërë. Në modë në vitet ‘70 ishin fustanat “tergall” me falte, jelekët pa krahë, flokët me llokma, e vajzat me flokë te gjatë bënin gërshetat çifte. Meshkujt mbathnin këpucët “shpic”, pantolet qe ishin të ngushta në gjunjë te gjera te nyja e shputës që i quanin “zvonarka”, ndërsa mbanin flokët e gjata si lojtari i Mançesterit, Xhorxh Best. Në këto vite nuk kishte farmerka që i sillnin romët nga Trieshta, pos disave që kishin standart ekonomik të lartë dhe ishin fëmijët e ndonjë funksioneri në qytet.
Ndërtesat skaj rrugës ishin trekatëshe, ku në katin e parë ishin shitore, ndërsa në korridore ne fëmijët shpesh, në kohën e korzos, kontaktonim të rinjtë duke u puthur nën hijen e territ pasi kishin fikur dritat e korridorit.
Kioskat në qendër ku punonte Ahmet “Nepa” dhe shitorja para gjyqit ku Borku shiste ranxhada në vitin 1965. Disa të moshuar që nuk dinin rregullat e korzos kalonin nëpërmes turmës së të rinjve, ndërsa ne që vështronim çuditeshim me naivitetin e tyre. Ne, fëmijët, kur dilnim në korzo, nga kurreshjta shikonim për dritare të dhomave të internatit, që ishte njëkatësh, se çka po bëjnë brenda banorët e internatit.
Lumi “Dobrusha” atëherë e kishte ujin e pastër. Nuk kishte aromë fekalesh. Në jetën e gilanasve të rinj çdo gjë ishte ekologjike: natyra, lumi, shpirti, dashuria…
Ah, kur kohë pas kohe më hapen ‘fiokat’ e kujtimeve nëpër kohrat me erë, gjithmonë në trurin e vogël dhe në sytë e gjelbërt jetojnë njerëzit që nuk ishin lojtarë të senzacioneve si sot! Para syve më dalin: Skenderi “Karakasi”, që e quanin ‘Belmondo’, Ali Klaiqi, Zvonku, Miqa – barantoristt që ishte bukurosh, Sebushi i Deremëhallës, Zijadini i mëhallës sime, Musi i Ahmet ‘Nepës’, Rela Neshiq, Qapa. Kemali bënte shaka me Aliun dhe Musin, Sebushin e kishin xhoker! Këta si mohikan qëndronin te ura e Masketarit që kishte anësoret nga druri e pastaj nga metali, ku mbështeteshin dhe hedhnin vështrimet në vajzat e bukura.
Ah Gilan, ah zaman…!
Në vitet ’70 – ’80 nuk kishte ndarje nacionale, piktorët e jetës që ngjyrosnin korzon me ngjyra politike kishin vdekur më herët. Zakonisht, deri ne vitet e ’70 të rinjtë shëtiteshin në grupe nga 4-5, ashtu si ishin marr vesh në dhomat e shtëpisë. Telefona pak kishte në shtëpia. Kontaktet bëheshin në prag të derës ose në penxheret e hapura me pamje kah rruga, që kishin nga nje tel vertikal ne te dy anet.
Korzoja ishte vendi i dashuriçkave të mëshefta, ku ndahej ndonjë fjalë e ëmbël, ndonjë shikim shigjetues, ndonjë buzëqeshje magjike, ose një shtrëngim dore me sekonda më të gjatë.
Tregimi im për korzon ishte biografia e shkurtër e rinisë në orët e mbrëmjes. Korzoja zhvillohej prej internatit të vjetër deri te kooperativa e berberëve. Ju kujtohet lokali i berbëreve dikur, aty punonin disa berberë, njëri prej tyre pati vdekur gjatë tërmetit të vitit 2002 në Gjilan.
Ata që kishin shkëmbyer emocione më shumë tregonin një shkallë më të lartë, duke vazhduar korzon deri te “Borova” e vjetër që gjendej mbi shkollën”Vuk Karaxhiq”, ndërsa poshtë deri te “Jadran Perasti” në lakun për tregun e gjelbërt. Gjatë shetitjes, ata që mbështeteshin për trungjet e blirëve u lëshonin ndonjë fjalë vajzave me u tregue se edhe ata janë këtu! Disa të rinjë, gjatë ecjes, përdornin fara që i shiste xha Rexhepi, i njohur si “Entereja” dhe disa romë që përdornin gotat e vogla për matje. Gurgushka shiste ndonjë dardhë të kuqe, ose leblebia.
Shoqet e ngushta shkonin te ëmbeltorja e Qoses skaj lumit “Dobrusha” me ngrënë shampite, tollumba, ata që kishin kaluar darkën në shtëpi merrnin ndonjë burek dhe bozë. Jelena që e kishte nëënën, Veren, farmaciste ishte shumë e bukur, e bukur ishte edhe Nedretja. Kumrija dhe Sanija ishin shumë të bukuara, njëra bjondinë, tejtra zeshkane me flokët e gjata. Më herët, Kara-Fatimja ishte bukuroshja e qytetit, Ganimetja ishte atraktive, Nazmija dhe Kadrija nuk ua lëshonin rrugën e bukurisë. Këto të fundit i mbaj mend sepse ne fëmijët e mëhallës sime luanim rolin e postierit për bekritë e mëhallës.
Blirët lëshonin aromë, receptorët e hundës akumulonn aromën e blirit. Lata lustronte këpucët e bekrive të Gilanit. Disa imitonin vagabondët e Milanos, duke shikuar reklamat e filmave që do të luanin. Disa në xhamin e reklameve bëheshin imitatorë duke shikuar femrat e bukuara përmes xhamit. “Karamurati” , “Bidai”, “Vallteri mbron Sarajevën” kishin shumë shikues. Prej orës 20 dhe 22 shkonin ata që emocionet më herët i kishin shkëmbyer, zakonisht shkonin në lozhë ose në balkon për ndonjë puthje ose lëvizje dore në vendet jo të pëlqyera.
Ah Gilan, ah zaman…!
Trotuari ku zhvillohej korzoja ishte me pllaka katrore që kishin vija horizontale. Ne fëmijët e vegjël ndonjëherë ishim zerzek, duke ia ngritur fustanin ndonjë bukurosheje, për çka fitonim ndonjë sharje. Ne nuk mërziteshim për këtë. Këto gjeste ndonjë herë i bënim me kokën tonë, ndonjë herë këto na imponin të rriturit.
Unë deri në shkollën e mesme çdo ditë vizitoja korzon, zakonisht isha me shokët dhe shoqet e rrugës sime, me ato të klasës nuk kisha dalur asnjëherë.
Nuk ka pasur ndarje në mes gjinive, as ndarja nacionale, atëhere qyteti kishte 12000 deri në 32000 banorë, gjithë e dinim nga cila familje ishte një femër. Kohë pas kohe vinin bukuroshet nga Mostari, Tuzla, Sarajeva, Shkupi. Ato sillnin freski në bebzat tona, sillnin erupcion në emocionet tona, dukeshin për ne me të avansuara.
Zijadini, Agimi, Kena ishin shmeker.
Romët kur dilnin në korzo formonin grupe më të mëdha, ishin më të zëshme, përdornin më tepër kozmetikë për fytyrë që nën hijen e hënës dukeshin si farët e automobilave. Disa qëndronin në rrethojat aty në qendër e me kitarë bënin muzikë.
Ne shikonim dhe pritnim të përfundojë korzoja sot, se duhet vjedhur lule bliri për të dërguar në shtëpi. Jelena që kishte banesën nën xhami qëndronte kohë pas kohe në dritare. Lila dhe Jelena, kjo e fundit banonte në mëhallën time, ishin me veshje arristokrate, ndërsa zëri i Fatimes të Medinagëve dëgjohej në ndonjë radio nga ballkoni duke kënduar këngën “Alishimi”…
/Autor i rrëfimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/Redaktor për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/Kohapress