______________________________________________
Ishin kohë të tjera…E reja kishte hyrë në çdo shtëpi. Ishin vite të arta. Jeta e re kishte nisur edhe për ata që zbritën nga zonat e largëta…
Erdhën nga fshatrat malore të Kamenicës, të Bujanovcit, e të një pjesë e Karadakut të Gjilanit dhe e populluan lagjen e re.
———————————————————————————
KTHIMI NË KOHË – GJILANI NËPËR VITE NË KUJTESËN E KRONISTIT
GJILANI DIKUR DHE SOT – NËPËR NGJYRAT E KOHËS
Ishin vitet e zhvillimit , vitet e lulëzimit në të gjitha fushat e jetës. Lajmi kishte mbërri edhe në zonat e largëta malore, deri edhe te zonat më të thella, gjithandej Anamoravës, në një pjesë të Karadakut të Gjilanit, të malësive të Kamenicës e Bujanovcit.
Banorët e këtyre zonave e populluan lagjen e re që po rritej e zgjerohej – lagjen Çenar Çezme, shpeshherë është përdorur edhe emri Çezmja e Radës, aty ishte vërtet çezme dhe kjo përdorej si emër identifikues për këtë lagje të re.
Asfalti ende nuk kishte mbërri, por jeta e re kishte nisur, banorët e ardhur kishin gjetur vende pune në Kombinatin e Tekstilit “Integj”, në Kombinatin e Duhanit “Boris Kidriç” në “Mladost”, në Ndërmarrjen Ndërtimore “Binaçka Morava”, e në fabrika e ndërmarrje të tjera.
Ishte kohë e prosperitetit, e progresit, e përparimit… (N.B.)
Në vazhdim lexoni rrëfimin e Dr. Shevcet Mehmetit, kujtime krejt të gjalla, origjinale, të natyrshme, pa zbukurime e ndryshime, ashtu siç ishte…
Ky është rrëfimi i dytë për lagjen “Çenar Çezme”…
(Pjesa e dytë)
Ah Gilan, ah zaman, ah kujtimet nga “Çenar Çezmja”, në origjinal populli e ka shqiptuar “Çenar Çeshme”
2.
Rruga kryesore ishte gjerë, me baltë, rrugicat ishin të ngushta, në rend të parë në anën e djathtë që kishin fundin te kodra e “Perzhin bregut” (Bregut të djegur).
Ruga kryesore në vitet 198O nuk kishte trotuar, automobiliat e rralle dhe njerëzit ecnin nëpër mesin e rrugës. Shtëpitë ishin skaj rrugës. Nëpër sokaqe mund të qarkullonte automobili në një drejtim. Çezmja atëherë punonte. Xha Feriz Jerliun më beretë franceze në kokë shpesh e takoja në këtë lagje, e takoja edhe te varret me një levë (teshlicë) në dorë, duke vizituar varrin e djalit të tij. Ishte mjeshtër i vërtetë i ndërtimit të minareve. Me te kisha biseda të ëmbla. Shpeshherë në shtëpitë e Jerlive isha i ftuar për t’u bërë kontrollime mjekësore.
Në fillim të kësaj lagjeje ishin Zekovitët (familja Zeka nga Poliçka). Xha Shaipi ishte mjeshtër i drurit, vëllau i tij, Taipi, ishte kondukter autobusi, me te kisha biseda shumë të gjata, shpesh më vizitonte në vitet e 1990 në banesën time.
Në anën e majtë ishte vetëm një rend i shtëpive njëkatëshe, pa sokaqe. Aty banonin Huruglicët, familja e Shkodriqëve dhe Kokalitë. Ndërsa, djathtas ishin banorët e Karadakut – nga Burinca, Lipovica, Muçibaba dhe Depca. Karadaku i Zhegrës nuk kishte banorë në këtë lagje.
Filloi ndërtimi i xhamisë. Afër ishte tregu i kafshëve, pasi u mbyll tregu pas zjarrëfiksëve me 1982.
Të shtuneve, në ditën e tregut, tërë malësia sillnin kafshë për shitje. Përballë tregut (pazarit) shtëpinë e kishte Mehmet Shkodra. Disa herë e kisha kontrolluar nënën e tij. Ndërsa dhëndri i familjes Isaku nga Burinca kishte shitoren e pemëve dhe perimeve. Pas xhamisë ishin tokat e Shaban Velekincës. Mbi treg nuk kishte shtëpi, ndërsa rruga shpiente te depoja e kazermës ushtarake, ndërsa rruga që lidhte këtë lagje me Zabelin e Sahit Ages ishte plotë me baltë. Prej qendrës së qytetit e deri te Çenar Çezmja edhe 50 metra tutje ishte shenja që tregonte se këtu mbaron Gilani, e 20 më tutje ishte tabela “Velekinca”.
Në vitet e ’80-ta komuna hapi konkurs për ndarjen e trojeve në zonën “Bregu i djegur”. Këtu në “Breg…” ndërtoi shtëpi profesori im i biologjise Ferat Rexhepi, futbollisti Ramadan Salihu, avokati Masar Morina…
AH GILAN, AH ZAMAN…! AH GILAN, AH KOHë…!
Dita-ditës lagjja zgjerohej, tokat që dikur ishin pjellore, filluan të pushtohen nga shtëpitë. Filloi migrimi nga Gollaku i Kamenicës, Bujanovcit, zbritën banorët nga Suharna, Ravnabuça, Zarbinca, nga Gmica, Velegllava, Vriçevci. Zbritën edhe ata nga LLovca, Kokajt, Ranatovci. Karadaku dhe Gollaku, së bashku e populluan këtë lagje. Banorët e kësaj lagje shpesh në biseda përdornin pyetjen: “Ku ishe?”, ndërsa përgjigjja ishte: “Isha në qytet!”.
Distanca në mes të Gilanit dhe Velekincës humbej dita – ditës.
Organizata ” Mladost” kishte fermat e veta. Pera Zolki kishte toka te depoja e kazermës ushtarake, Bajram LLovca shpesh vizitonte ambulancën time ne spital. “Disa herë e kam kontrolluar bashkëshorten e tij në shtëpi”.
Numri i shitoreve gjithnjë shtohej, zona të tokave pjellore gjithnjë më pak. “Para disa ditësh kalova andej, vërejta se shtëpia e parë në këtë lagje te çezmja ishin duke e prishur!
As çezmja nuk punonte!
Mbeten kujtimet për këtë shtëpi, mbeten kujtimet për këtë çezme, për të cilën u krijuan shumë fabula, shumë anegdota. Lagjja që solli një mentalitet të ri në qytet. Kjo lagje është letërrnjoftim i zbrazjes të fshatrave në Anamoravë. Shkolla Fillore “Abaz Ajeti” është në funksion, xhamia me minare qëndron gatitu, medicina familjare kujdeset për shëndetin e banorëve.
Jeta po rrjedh… Ujë në qytet verës me gotë! Bëhet mirë…!
Gjurmët e ftohta të kësaj kohe mbuluan gjurmët e ngrohta…!
/Autor i rrëfimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/Redaktor për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/Kohapress/