Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka vizituar shkollën fillore “Prof Ibrahim Kelmendi”, me ç’rast ka inspektuar punimet në renovimin e kësaj shkolle, si dhe ka bërë të ditur se është siguruar Abetarja mbarëkombëtare për nxënësit e kësaj komune.
“Pata kënaqësinë të jem prezent në mesin e nxënësve të shkollës fillore: ‘Prof Ibrahim Kelmendi’ në Preshevë. Pasi arritëm të sigurojmë shumë tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit tanë, në mesin e tyre është edhe Abetarja mbarëkombëtare. Duke e konsideruar rëndësinë e madhe që ka ky libër për filloristët tanë, vendosëm që për këtë vit shkollor të gjithë filloristëve të Komunës sonë, t’ua sigurojmë Abetaren, si libër të parë në mësimin e shkronjave të alfabetit tonë. Në kuadër të kësaj vizite, shfrytëzuam rastin t’i inspektojmë punimet nga afër që po realizohen në renovimin e plotë të objekteve të kësaj shkolle, projekt i fituar nga Zyra për zhvillim ekonomik pranë Administratës komunale në Preshevë. Drejtorisë së re të shkollës i uruam sukses dhe i ofruam përkrahje në ngritjen e cilësisë së kushteve dhe procesit edukativo-arsimor, siç e meriton më së miri ky tempull i dijes, nga i cili do të edukohen e arsimohen gjeneratat e reja të komunës sonë”, ka shkruar Arifi në profilin e tij në Facebook.