Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherit kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit, në një intervistë në RTSH ka folur për flamurin e shtetit të Kosovës, për sloganin e partisë së tij në zgjedhje, por edhe për taksën e vendosur në Rrugën e Kombit.
“Ne e njohim në institucionet e Kosovës simbolikën e pavarësisë sonë, përfshirë flamurin dhe himnin, por në VV jemi më shumë se kaq, dëshirojmë të theksojmë që është interesi jonë dhe s’do ta heq nga andej nga zyra e kryeministrit flamurin shqiptar. Slogani, Erdhi Dita, duam të themi se shkoi terri, pasi që PAN-i iku me panik dhe erdhi dita jonë. 6 tetori është dita e tillë, dita kur vije që simbolizon dritën, të renë, përparimin e të ardhmen dhe nënkupton dhe një terr që po ik”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se sa i përket bashkëpunimit me Qeverinë e Tiranës do të bëjnë hapa në harmonizimin e politikave dhe strategjive të përbashkëta, derisa taksa e vendosur në Rrugën e Kombit është gabim.
“Taksa në Rrugën e Kombit është gabim dhe dëm, pa e hequr këtë kufi e vumë edhe një tjetër, për të cilën duhet ta fusim dorën në xhep, ky dyfishim është indinjues përveç dëmtues. Por si Qeveri e re duhet të bisedojmë që kjo mos të vazhdojë. Taksa i bën dëm kombit tonë”.