__________________________________________________
KTHIMI NË KOHË
GJILANI DIKUR DHE SOT – NËPËR NGJYRAT E KOHËS
Nga ku deri ku përshkohej rruga me baltë humusi? A ekziston në realitet Çezmja e Radës apo Çenar Çezmja…?
Si u krijue miti mbi lagjën Çenar Çezmja? Nga kush përdorej emërtimi Çezmja e Radës, te Çezmja e Radës dhe sipas kujt?
Kush ishte farkatari i parë i kësaj lagjeje qyteti? Cilët ishin banorët e parë që u vendosën në këtë lagje? Nga cilat fshtra zbritën ata? Etj,etj…
Edhe këtë herë me rrëfimin e dr.Shevqetit, mund të lexoni gjëra shumë interesante nga kujtime t etij fëmijërore dhe më vonë…
(Pjesa e parë)
Ah Gilan, ah zaman! Ah ç’kujtime na ringjallen nga lagjja Çenar Çezme!
1.
Isha fëmijë, posa kisha filluar në Shkollën Fillore “Musa Zajmi”. Sokaku im kishte shumë fëmijë të një gjenerate. Në një klasë ishim 18 nxënës prej sokakut. Pjesën më të madhe të ditës, pas mësimit, e kalonim në rrugët e qytetit, ose në periferi të qytetit. Prej Ndërmarrjes Shoqërore “Metalac” e deri në Velekincë rruga ishte me baltë, plotë gjola (puse uji). Balta ishte nga humusi, ngjitej për çizme që vështirë e largonim me llamarinë. Në anën e djathtë ishte kullimi i ujit (kanali për kalimin e ujit), pastaj shtriheshin tokat pjellore, në të cilat kultivoheshin kulturat bujqësore.
Deri te “Trikotazha” qytetarët e shfrytëzonin këtë rrugë, e andej vetëm ata që kishin tokat e veta, ndërsa qytetarët nuk e shfrytëzonin. Gilanasit e vjetër shkonim deri te garazha e autobusëve dhe stadiumi që gjendej prapa garazhës.
Zakonisht për me shkue në Velekincë e shfrytëzonim rrugën kah varret. Aty ku janë varret muslimane ishte një gropë e madhe nga betoni, në të cilën Komuna hedhte ngordhësirat, ndërsa kur kalonin aty pranë na vinte të villnim nga kundërmimi i fortë. Mbi varre zgjatej “Przhin bregu” (“Bregu i djegur”), arat e së cilës mbilleshin me grurë nga Ndërmarrja Bujqësore “Mladost”.
Me 1966, në Çenar Çezme ishte vetëm shtëpia e Talit, që kishte dy dhoma, nje gjezindi (korridor). Ne fëmijët ndalonim te Çezmja qe kishte gjithnjë ujë me rrjedhje natyrale. Ndalonim aty dhe flladiteshim.
Ah Gilan, Ah zaman…! Ah Gjilan, ah kohë…!
Çenar Çezmja kishte edhe mitet e veta. Ne qytetarët e vjetër, baba im dhe babagjyshi me tregonin se ketu ishte skaji i qytetit, për këtë kjo çezme është quajtur Çenar – prej fjalës turke = “skaj”. Ardhacakët filluan ta formojnë mitin se këtu është pastruar çenari i nusës. Ndërsa, ardhacakët nga Karadaku e përdornin shumë emërtimin Çezmja e Radës. Rade Maksimoviq me dy vëllezër nga Strazha, para vitit 1941, kishte qenë në qeverine lokale, i kishte pronësuar tokat në këtë pjesë. Kështu, mit pas miti edhe u formue enciklopedia mitologjike e Çenar Çezmës.
Ishim fëmijë kur shkonim në malin e Velekincës në pushim njëditor. Kalonim rrruges kryesore. Shtëpi të tjera nuk kishte, përpos një shtëpie e bërë me gurë të zi, që ishte pa dyer dhe dritare, e ku kalimtarët strehoheshin kur kishte shi.
Në fund të Çenar Çezmes, në anën e djathtë, para se të hyhet në Velekincën e Re ku banonin serbët, malazezët e hercegovasit ishte një punëtori njëkatëshe e lyer me balte, në të cilën punonte farkatari rom.
Kështu dukej Çenar Çezmja deri me 1967. Në fillim të lagjës Çenar Çezme toka kishin: Ali Sahiti i Abdylrrahim efendiut, qe shpërngulet në Susurlluk të Turqise dhe Ismal Livoqi. Aty kishin toka Velekincët në të dyja anët e rrugës kryesore dhe Hamza, nipi i Sahit agës. Me 1969, Shaip Zeka bleu 20 arë tokë, pastaj filluan të ndërtojnë shtepitë Zekovitët. Ata kishin zbritur nga Poliçka e Kamenicës. Ishin mjeshtër të njohur për përpunimin e drurit. Ndërkaq, te shtëpia nga guri u vendosën Kokalinjtë, ndërsa te Çezmja u vendosën Jerlitë nga Dazhdinca. E në anën e djathtë u vendosën banorët që zbritën nga Burinca, Lipovica, Muçibaba dhe Depca. Çenar Çezmja nisi të zgjerohej…
/Autor i rrëfimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/Redaktor për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/Kohapress/