Policia e Kosovës do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në procesin zgjedhor të 6 tetorit.
Gjatë një takimi sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, drejtori i Përgjithshëm Rashit Qalaj, ka folur lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet e parakohshme parlamentare-2019”.
Në këtë takim morën pjesë zëvendësdrejtorët e PK-së, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorive rajonale, komandantët e stacioneve policore dhe përfaqësues të ICITAP-it amerikan, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.
Drejtori Qalaj gjatë këtij takimi potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.
Njëkohësisht nga të gjithë eprorët e lartë policorë u kërkua që të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë.
Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, duke filluar nga periudha parazgjedhore, angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në ditën e zgjedhjeve dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.
Të pranishmit diskutuan edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas marrëveshjeve të bazuara në ligj.