Pse u harrua korzoja e qytetit të Gjilanit? Dikush me buzëqeshte, tani nuk ka buzëqeshje…!
Korzoja e qytetit (Gjilan), pjesa 4
Ah Gilan, ah zaman…!
Me këtë rrëfim të dr. Shevcetit po e përmbyllim pjesën e e katërt dhe të fundit për korzon e qytetit të Gjilanit, një histori e mrekullueshme urbane, ku të rinjtë mblidheshin në çdo mbrëmje në qendër të qytetit dhe bënin shëtitjen mbi rrugën me kalldrëm. Taktaktet e zemrës rinore e qytetare nuk ndalonin deri në orën 23:00. Ashtu siç zdirgjeshin si lumë nga të gjitha lagjet e qytetit ashtu edhe shpërndaheshin, qetë, qetë, plot ndjenja e optimizëm. Ishte kohë planesh, kohë idealesh, kohë vrulli, pune, mësimi, studimi…
Po pastaj erdhën kohë furtunash që shuan çdo gjë…
Gjilani dikur – kthimi në kohë
Lamtumirë korzoja e qytetit tim! Lamtumirë xha Ismail që kishe ëmbëltoren “Korzo”! Lamtumirë tollumba, shampite dhe bozë! Përshëndetje gjenerata ime e asaj kohe! Ishim të mirë, afirmativ, jetonim me kohën, me ritmin e jetës.
Më parë dëgjoja se çdo fillim ka një skaj, unë po përgjigjem: rrethi nuk ka fillim dhe mbarim!
/Pjesa e katërt/
Ecje nëpër kohë – gjurmë dhe kujtime
Ah Gilan, ah zaman! Ah Gilan, kohë o kohë!
4.
Filloi të prishet koha, murmurimat politike në Ballkan kishin filluar. Por, murmurimat nuk ndaleshin. Në qytet breshëri politik filloi të sjell dëme në emocionet e të rinjve. Virusi politik e ndau shoqërinë. Çdo ditd pasojat ishin fatale pdr harmonind shpirtërore të të rinjve, sekvelat gjithnjë në rritje.
Humbi ai afshi i rinisë për të dalur në korzo. Rinia filloi të bëhet lojtare e breshërit politik, u përzien emocionet, ngjyrat nacionale filluan të dominojnë. Ishte një plasaritje, jo gjeologjike! Ishte plasaritje mendore, pastaj u bë shpirtërore. Jeta u nda në bazë të nacionaliteteve, disa vehten e llogaritnin superior.Të tjerët kaluan në korzon e Gavranit. Shoqëria u nda, jo me dëshirë, por e ndanë ata që kishin projektuar fitime e privilegje mbi depresionin rinor u qytetar. Koha e vrërërt paralajmëronte një shi të ftohtë politik, një turbullirë që do të përmbys vlera e histori, për të sjell një mot të keq…!
Filluan kafeteritë të hapen si kërpurdhat, rinia u bë 1/2 në qendër dhe në Gavran. Emocionet pozitive u redukuan, të gjitha ishin bërë të kontaminuar, secili fliste se ata te grupit tjetër janë më të kontaminuar. Rinia filloi të ndahet në geto! Mirëpo, dashuritë, emocionet vazhdonin, por ishin të kontrolluara nga breshëri politik. Edhe muzika u nda në dysh, edhe filmi, teatri, poashtu. Edhe mbrëmjet e maturës u bënë dysh. Numri qakullues ishte dyshi, thuajse numrimi nuk fillon si dikur nga njishi.
Dhe po vinin kohë të paqena, të papritura, e sot po duken se janë kohë të pavlera!
Ah Gilan, ah zaman!
Pas vitit 2000, korzoja humbi funksionin, humbi shpirtin, edhe më herët kishte pasur sëmundje depresive, ndjenjat u bartën në kafene. Numri i ‘kafiqave’ në rritje, korzoja kishte probleme me frymarrje, thuajse po dëshironte të tregonte lëvizjet e fundit, ishte para vdekjes klinike. Kafenetë me makiato, ekspres dhe duhan zëvendësuan ecjen, natyrën,
zëvendësuan dinamikën me statikën, qiellin e hapur me dritat falso të lokaleve, ku fytyra yte është si prapavijë nga tymi i duhanit. Lëvizjet e muskujve në kafene janë statike, punon gjuha që reflekton botën e shpirtit të soditur me tym.
Jeta ishte mbyllur brenda mureve të kefeneve…
Unë po iku nga qyteti, i kethehem natyrës, ku mund të bisedoj me të kaluarën që sot në fshatra është një fotomorganë. Fshatrat thuajse po i kafshon erozioni i kohës, shoh si pyjet prehen, nuk dëgjohet zhurma e fëmijëve në oborret e shkollës, nuk shoh dy të rinjë që shkëmbejnë emocione me muzikën e natyrës, ku orkestrin e jetës e bëjnë lulet, fletat e pemëve dhe cicërima e zogjëve.
Kur jam në qytet mbyllem si guaca dhe në këndin tim të punës lexoj diç nga bibloteka ime. Krahasoj rininë time me atë të sotit. Më kujtohet fjala alienacion nga studimet (alienacion -tjetërsim – kur nuk je ai që je por një tjetër…). Kjo është e vërteta. Numri i fëmijëve po zvogëlohet, shpërngulja po rritet, dinamika e muskujve u zëvendësue me statikën e eshtrave duke qëndruar në karrige dy orë për të pirë një kafe.
Lamtumirë korzoja e qytetit tim! Lamtumirë xha Ismail që kishe ëmbëltoren “Korzo”! Lamtumirë tollumba, shampite dhe bozë! Përshëndetje gjenerata ime e asaj kohe! Ishim të mirë, afirmativ, jetonim me kohën, me ritmin e jetës.
Më parë dëgjoja se çdo fillim ka një skaj, unë po përgjigjem: rrethi nuk ka fillim dhe mbarim!
“Ne tufën e kujtimeve nga jeta ime modeste ekonomike kanë kaluar gjenerata të të dashuruarëve, që kanë ecur të njëjtën rrugë në orët e mbrëmjes, duke më prekur me supe gjate ecjes, duke ma zgjuar shpirtin gjumash, duke mëshefur emocionet e mia, duke argëtuar kinse ‘mosinteresimin’ për ndonjë vajzë”. Ah kohë, kohë…!
———————————————————————————————————————————————————————————————————————–
P.S. – Jeta ishte mbyllur brenda mureve të kefeneve, imagjinata ishte kufizuar në soditje tymi. Edhe liria si ndjenë mendore ishte topitur, tretur…! Gjithçka po ndryshonte, për keq a për mirë do ta dëshmonte kohë, edhe kjo koha jonë, kjo koha që po jetojmë…
Ritmi i jetës sikur është ndalur! Gjithçka sillet nën vorbullën e një realiteti hipokrit, me së paku njerëzor, jo human…!
/Autor i rrëfimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/Redaktor për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/Kohapress/