Qytetarët e Republikës së Kosovës të dielën i dhanë goditjen përfundimtare miteve të ngritura në këtë vend.
Qytetarët duke dëshmuar një shembull të pashoq të demokracisë në rajon votuan për ndryshim, votuan për opozitën.
Mbi 50% e votave në total i takuan dy subjekteve opozitare duke shkaktuar kështu një tërmet të fuqishëm në krahun e luftës.
PDK ka shënuar rënjen më të madhe në histori të sajën duke u kufizuar në më pak se 170.000 vota gjendje në të cilën nuk ishte as në zgjedhjet e vitit 2001 apo 2004 dhe është humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve pa harruar këtu edhe dy koalicionet më të panatyrshme që ndodhen për shkaqe të frikës, AAK-PSD dhe NISMA-AKR, ku ky i fundit rrezikon mbetjen pa ulëse në legjislaturën e rradhës që do të ishte një perëndim karriere për Fatmir Limajn dhe Behgjet Pacollin.
Por cilët janë skenarët e mundshëm me të cilat do të ballafaqohet Lëvizja Vetëvendosje si fituese e këtyre zgjedhjeve dhe çfarë do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin ?
Rrjedhimisht koalicioni më i fuqishëm dhe më kuptimplotë do të ishte LVV-LDK me kryeministër të padiskutueshëm Albin Kurtin.
Pse?
Sepse ishte vet LDK ajo që insistoj të maten të vetme tek sovrani dhe bazuar se kush do të ishte në vendin e parë do të kishte drejtë të formonte qeverinë duke e treguar gjithëherë që bashkëpunimi LVV-LDK do të jetë i sigurtë pas zgjedhjeve.
Meqenëse humbën garën çdo kryeneqësi nga Lidhja Demokratike e Kosovës për t’a kërkuar postin e kryeministrit do të ishte qesharake dhe jo serioze.
Mirëpo LDK mund të përballet edhe me presione ” prapa kuintave ” duke e ditur se çfarë të palara mbajnë mbi supe disa funksionarë të lartë të saj dhe shantazheve që do ju vijnë nga nëntoka.
Gjithsesi e tërë kjo situatë do të masovizonte popullin në përkrahje të Lëvizjes Vetëvendosje, do të shterren të gjitha mundësitë kushtetuese dhe pa një marrëveshje më LDK-në, VV ka të drejtë t’a mbaj pezull konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Nëse do të kemi probleme me formimin e institucioneve pas zgjedhjeve më të mira të organizuara ndonjëherë në Kosovë atëherë le të shterren të gjitha mundësitë kushtetuese dhe le të ju drejtohemi përsëri kutive të votimit, mirëpo kjo është totalisht në duar të LDK-së, një lojë e saj e rradhës me dreqin do t’a dërgonte në humnerë dhe nëse ju drejtohemi prapë kutive do ta gjente vetën më keq se në vitin 2007 ku u kufizua në më pak se 130.000 vota, kurse subjekti fitues i 6 tetorit do t’a shihte vetën pranë një fitoreje me rezultat shkatërrues ndaj të gjithëve.
Si i ri i këtij vendi i bëj thirrje LDK-së që të mos flirtoj përsëri me ish të dashurin pasiqë do të krijonte nervozë dhe ashpërsim të panevojshëm të situatës duke mobilizuar popullin që nëse është e nevojshme edhe të dal në rrugë.
Unë kam votuar për ndryshim dhe ndryshimin e sollëm sëbashku me 6 tetor dhe tani është çdo gjë e qartë mjafton të mos i hani fjalët e juaja që ai që fiton zgjedhjet ai do të ketë të drejtë të formojë qeverinë. Bashkohuni dhe jepini shpresë këtij vendi!
KËRKUAT DITËN JU BESUAM ATË!
Arbër Rama, student