Shkruan: Enver Sadiku
Armata Osmane e Vardarit dhe ajo serbe kishin paraparë që beteja kryesore në mes ushtrive të tyre të zhvillohej në afërsi të Kumanovës. Duke dashur që të mbrojnë vendin e tyre nga një pushtues i ri, mijëra vullnetarë shqiptarë, shumica prej të cilëve ishin nga Gjilani dhe viset përreth iu kanë bërë ballë depërtimit të forcave serbe. Ata morën pjesë edhe në Betejën e Kumanovës, ku sidomos janë shquar vullnetarët shqiptarë nga Gjilani e rrethina.
Pasi kishin pushtuar qytetet në Kosovë, natën e 23-24 tetorit Armata e Tretë Serbe filloi një marshim drejt Shkupit e Kumanovës.[1] Beteja kryesore kundër ushtrisë serbe është zhvilluar në afërsi të Kumanovës, e cila njihet si Beteja e Kumanovës, në të cilën depërtimi i dy armatave serbe synonte pushtimin e Kumanovës, të Shkupit, të Kërçovës, të Manastirit e të tërë Shqipërisë Lindore. Që nga Malësia e Moravës e deri tek Lugina e Vardarit, shumë vullnetarë shqiptarë morën pjesë në këtë luftë. Divizionet serbe me epërsinë e tyre numerike dhe me armatim, pas dy ditë e net luftimesh të ashpra thyen ushtrinë osmane dhe forcat vullnetare shqiptare. Në këtë betejë në mesin e shumë të rënëve ishte edhe atdhetari Sylejman Hogoshti.[2] Në këtë betejë, serbët hodhën ushtrinë e Armatës së Parë, të përbërë nga 126 000 veta e pajisur me armatimin më modern të kohës, kurse armata osmane e Vardarit kishte vendosur në këtë front 50 000 luftëtarë edhe ajo e pajisur me topa. Midis tyre kishte edhe disa mijëra ushtarë shqiptarë, përveç forcave vullnetare të ardhura nga treva e Kumanovës, Preshevës, Gjilanit e rrethet e tjera.[3]
Luftimet e pandërprera në betejën e njohur të Kumanovës ishin të mbushura me plot përleshje të ashpra. Posaçërisht luftime të ashpra u zhvilluan në lokalitetin Sërtenicë më 23 tetor dhe në bregun Sebërnjak në fshatin Negoriçan i Ri i Kumanovës më 24 tetor. Armata Osmane e Vardarit, që komandohej nga Zeki Pasha dhe korparmata e Fetih Pashës pësoi disfatë të plotë. Burimet serbe duke folur për humbjet e ushtrisë serbe në Betejën e Kumanovës japin shifra se në këto luftime, ushtria serbe kishte 723 ushtarë të vrarë, 3441 ushtarë të plagosur dhe 603 ushtarë dhe eprorë të humbur.[4]
Edhe burimet osmane japin të dhëna mbi Betejën e Kumanovës dhe sipas tyre, më 23 dhe 24 tetor 1912, ditën e mërkurë dhe e enjte, ushtria osmane u thye përfundimisht në Kumanovë.[5] Disa ditë më pas, Fetih Pasha i shkruante Ali Riza Pashës duke e njoftuar se Korpusi i VII ishte shkatërruar plotësisht dhe se në afërsi të Shkupit, armata e cunguar që ndodhej nën komandën e tij është thyer plotësisht dhe se nga ushtarët e mbetur kishte formuar një njësi për të mbrojtur Shkupin.[6]
Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së Parë Serbe pushtuan Shkupin pa luftë. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës së Parë Ballkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të Vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.[7]
Pas disfatës së ushtrisë osmane dhe vullnetarëve shqiptarë, ushtria serbe dhe njësitet e tyre komitë, gjatë depërtimit në viset shqiptare vazhduan me djegien e fshatrave dhe masakrat e papara mbi popullsinë e pafajshme shqiptare, e cila po ikte para ushtrisë armike, shpesh pa e ditur nga t’ia mbante. Pas Betejës së Kumanovës, shumë fshatra shqiptare, që nga Ristoci e deri në Shkup ishin boshatisur po thuaj se tërësisht. Në Shkup ishin përqendruar rreth 150 mijë veta, që kishin ikur nga vendbanimet e tyre para ushtrisë serbe.[8] Gazeta serbe “Radniçke Novine” shkruante se me rënien e Kumanovës në duart serbe, në Shkup u vendos e tërë popullsia shqiptare, të cilën ushtria serbe duke depërtuar nga Veriu e shtynte para vetës dhe kjo popullatë duke kërkuar strehë aty në pjesën më të madhe e kishte gjetur vdekjen.[9] Për krimet e kryera mbi popullatën e pambrojtur shqiptare kanë shkruar korrespondentët e gazetave nga fushëbetejat, të cilët raportonin qendrat e tyre se atë që po ndërmerrte ushtria serbe kishte marrë tiparet e shfarosjes së shqiptarëve. Sipas raportimeve 3000 shqiptarë janë masakruar ndërmjet Kumanovës dhe Shkupit dhe 5000 afër Prishtinës, katundet e shqiptarëve janë rrethuar e pastaj janë djegur, banorët e tyre janë përzënë prej shtëpive dhe janë vrarë. Se vullnetarët shqiptarë në Betejën e Kumanovës luftuan me trimëri, më vonë kanë dëshmuar edhe gjeneralët osmanë. Sipas tyre, shqiptarët luftuan për të mbrojtur atdheun e tyre. Luftuan dhe nuk e lanë frontin edhe atëherë kur ushtria e kishte braktisur vijën e luftës. Në Betejën e Kumanovës u vra gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve të Gjilanit, ndërsa numri i përgjithshëm i shqiptarëve, që u vranë në këtë betejë, arrin në 10 000 veta.[10]
Në kujtimet e tij, Ahmet Hamidi, komandant i çetës së parë të regjimentit XXI të artilerisë, dëshmon se kur kishte shpërthyer Lufta Ballkanike, shqiptarët luftuan me trimëri kundër armiqve në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Guci e Plavë. Ai në kujtimet e tij thotë se në atë kohë ndodhej në Kumanovë dhe se beteja e parë u zhvillua në Bilaç, ku përballë dy divizioneve dhe pesë baterive artilerike serbe, forcat e tyre përbëheshin nga një bateri automatike nën komandën e kapitenit Hajri Efendiu, dy batalione të ushtrisë së rregullt (nizamët) dhe dy batalione të ushtrisë rezervë (redifët) nga Gjilani dhe Presheva. Kapiten Hamidi, thotë se ushtarët shqiptarë treguan një trimëri e guxim aq të madh sa ky heroizëm mjafton të përmendet përgjithmonë. Sipas tij, ndonëse numri i armikut ishte katër herë më i madh, shqiptarët qëndruan dhe luftuan shumë ditë, gjersa ushtarët e batalioneve të Gjilanit e të Preshevës u asgjësuan deri në ushtarin e fundit. Batalioni i Gjilanit kishte 1500 ushtarë shqiptarë, prej të cilëve mbetën gjallë vetëm pesëmbëdhjetë sish. Këta trima, atëbotë kishin mbetur pa ndihma, por nuk ia kthyen shpinën armikut gjersa ra edhe ushtari i fundit prej tyre. Ahmet Hamidi, në kujtimet e tij ishte tejet kritik për sjelljet e udhëheqësve ushtarak osmanë, duke theksuar se “atëbotë komandanti i ynë dhe shtabi i luftës gjendeshin në Shkup, duke kërkuar restorante të pastra e hotele të bukura.. gjersa ushtria serbe ia kishte vënë zjarrin Gjilanit e Preshevës me fshatrat përqark. Flaka e këtyre fshatrave të djegura mund të përcillej edhe nga Kumanova”.[11]
Historiografia serbe, jo pa qëllim Betejën e Kumanovës e ka cilësuar si betejë të thjeshtë osmano – serbe, duke e injoruar qëndresën e shqiptarëve në fushën e Kumanovës, ku shumë luftëtarë të viseve të Kumanovës, të Preshevës, të Gjilanit, të Shkupit, të Tetovës, të Gostivarit e të qyteteve të tjera shqiptare zbritën në fushën e luftës.[13] Humbjet e ushtrisë serbe nuk qenë të vogla, por ato serbët nuk i tregonin asnjëherë, madje edhe humbjet paraqiteshin si fitore.[14] Ashtu si do ndodhë edhe shumë herë më pastaj në përballje të serbëve me armiq të ndryshëm.
Ushtria serbe që kishte marrë në dorë Shkupin, më pas marshoi drejt Prizrenit, Pejës e Gjakovës, më pas pushtoi edhe Manastirin, që ishte qendër e vilajetit dhe pasi kaluan lumin Drin pushtuan Lumën, Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe arritën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e ushtrisë serbe iu drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera të ushtarëve serbë u nisën drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës.[15]
Vullnetarët shqiptarë, që kishin ngelur të braktisur nga Perandoria Osmane, nuk qenë në gjendje që t’i bëjnë ballë ushtrisë serbe dhe asaj malazeze, të cilat në fillim të muajit dhjetor të vitit 1912 e kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe kishin arritur deri në Luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.[16]
Vullnetarë shqiptarë të Gjilanit dhe viseve përreth, që kishin bërë rezistencë në kufi kanë qenë pjesëmarrës edhe në Betejën e Kumanovës. Në këtë betejë sidomos është dalluar efektivi i batalionit të Gjilanit, i cili gati i tëri ra heroikisht në këtë luftë. Ata nuk e braktisën frontin e luftës edhe pasi ishte tërhequr ushtria osmane. Shqiptarët i bënë ballë forcave serbe në mbrojtje të trojeve të veta dhe për të parandaluar dhunën dhe terrorin mbi popullatën e pafajshme.
Marrë nga libri “Gjilani me rrethinë gjatë Luftërave Ballkanike 1912 – 1913” i autorit Enver Sadiku.
[1] C. Ратковић, Б. – Ђуришић, M. – Скоко, C. 1972. Србија и Црна Гора у Балканским ратовима 1912-1913, Београд, c. 70.
[2] Braha, Sh., Idriz…, f. 192.
[3] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 506.
[4] Masevski, D. – Arsovski M. – Bolto. 2004. Kumanova, f. 184.
[5] Rizaj, S. Burime Osmane mbi luftën e shqiptarëve për pavarësi, f. 271
[6] Po aty, f. 178.
[7] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 506-507.
[8] Selmani, A., Gjilani…, f. 280-281.
[9] Радничке новине бр. 223. 22. октобар 1913. Београд, с.2.
[10] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 507.
[11] Mufaku, M. 1986. Kujtimet e kapitenit Ahmed Hamidi për Luftën Ballkanike dhe shqiptarët. Në Gjurmime albanologjike – seria historike, 15, Prishtinë: Instituti Albanologjik. f. 315 – 316; Kylçe, S. 2004. Shqipëria në historinë osmane. Tiranë: Globus R, f. 256.
[12] Boslićić, S. –Marjanović J. –Mitić, S. –Timotijević, K. 1968. Ratovi i Revolucije. Beograd: Mladost, f. 54.
[13] Braha, Sh., vep. e përm., f. 193.
[14] Fiçorri, R., vep. e përm., f. 96 – 97.
[15] Historia e Popullit Shqiptar II…, f. 507.
[16] Po aty.