Në maj të këtij viti Kuvendi Komunal në Gjilan mori vendimin që të shtynte pikën e rendit të ditës të paraparë për të ndërmarrë vendim që dita e diele të jetë zyrtarisht ditë pushimi për të gjithë sektorët private që operojnë në këtë komunë.
Edhe pse propozimi në fjalë mbeti të diskutohet pas një muaji, përsëri nuk u arrit deri tek ky vendim.
Biznese të shumta janë shprehur haptazi kundër këtij vendimi, edhe pse të dëmtuarit në këtë rast janë vetëm klasa punëtore.
Lidhur me gjithë këtë, Indeksonline ka kontaktuar Komunën e Gjilanit ku edhe është thënë se Komuna është duke zbatuar Rregulloren për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së subjekteve afariste në territorin e komunës se Gjilanit nr.01.16-59035, të datës 27.06.2013 e cila është ende në fuqi.
Sipas zyrtarëve komunal rregullorja në fjalë me plotësim ndryshimet është diskutuar në dy dëgjime publike dhe komentet e bizneseve pjesëmarrëse e që janë dhjetëra sosh dhe numri i vogël i punëtorëve (vetëm një), janë marrë për shqyrtim të të mëtejshëm.
“Interesimi dhe angazhimi i komunitetit të bizneseve në procesin e hartimit të politikave publike, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duke patur parasysh se roli i qeverisjes lokale është të krijoj një mjedis të shëndoshë për bizneset dhe sektorin privat në përgjithësi, është me rëndësi që ecuria e bizneseve e cila luan një rol të madh në krijimin e parakushteve për një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të mos ndikohet negativisht nga aktet ligjore të cilat i nxjerr Kuvendi Komunal”, u tha tutje nga Drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri.
Sipas Tahirit, ky akt duhet jo vetëm të promovojë interesat e të dyja palëve, por gjithashtu barazon pritjet e secilës palë dhe siguron se ciklet e biznesit janë më me pak ndikime negative.
Kurse në Gjilan thuhet se deri në fund të vitit 2018 pati 5 mijë e 166 biznese të cilat punësuan 10 mijë e 463 punëtorë dhe se sektori privat është i dominuar nga mikro ndërmarrjet.
“Komuna është e angazhuar në përkrahjen e një ndërveprimi me të mirë ndërmjet punëkërkuesve dhe bizneseve dhe kemi marrë një mori iniciativash për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunës, bizneseve dhe punëkërkuesve me qëllim të promovimit të forcës aktive të punës, promovimin e shërbimeve dhe produkteve të bizneseve sipas sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Duke patur parasysh dallimet në lidhje me këtë rregullore dhe kërkesat e komunitetit të biznesit, Komisioni Komunal për nxjerrjen e akteve ligjore do të punoj drejt gjetjes së një zgjidhje derisa rregullorja e vitit 2013 ende mbetet në fuqi”, përfundoi Tahiri.
Por derisa një vendim i tillë komunal vazhdon të mbetet pezull, punëtorët e sektorit privat në Gjilan vazhdojnë të jenë pa pushim të dielën, e disa prej tyre pa pushim në asnjë ditë gjatë tërë javës./Indeksonline/