Avokati Tahir Rrecaj ka folur për shtimin e aktivitetit të Gjykatës Speciale e cila së fundi ka shpeshtuar ftesat për intervistim ndaj ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rrecaj ka thënë se intensifikimi i ftesave për intervistim, tregon se Dhomat e Specializuara janë në përfundim të hetimeve.
”Për herë te fundit në Hagë kam qenë në fillim të muajit gusht. Kërkesa ime ka qenë që intervista të ndodhë në Kosovë. Kanë ardhur një numër i madh ftesash brenda një dite. Kjo tregon se Dhomat e Specializuara kanë shtuar aktivitetin në përfundimin e hetimeve sepse të gjitha rastet janë në fazën e hetimeve”.
”Qëllimi i hetimit është grumbullimi i provave dhe grumbullimi i fakteve lidhur me personat që dyshohet se kanë kryer veprat. Nëse sigurojnë prova të mjaftueshme që mbështesin dyshim të bazuar, pritet të ngritën edhe aktakuzat”.
”Është çështje e prokurorëve të rastit, sepse nuk kemi informacione të ndara për secilin rast se për çka kanë siguruar prova. Nëse prokurori s’mund të sigurojë prova të mjaftueshme që mbështeten në një dyshim, atëherë pushohen hetimet”.
Siç tha në Info Magazinën e Klan Kosovës, ai nuk beson që do të ketë të akuzuar në një numër të ngjashëm sikurse ata që u ftuan për tu intervistuar.
”Besoj që do të ketë aktakuza, jo në këtë numër sipas organizatës së UÇK-së mbi 120 persona të ftuar për intervistë. Nuk është reale të ketë mbi 100 persona të akuzuar por pritet ditëve në vazhdim si do të rrjedhin gjërat”.
”Deri në fund të këtij vitit, deri në tremujorin e vitit të ardhshëm mendoj që do t’i kemi aktakuzat e para”, shprehet ai.
”Nuk e kam vlerësuar të arsyeshme që t’i publikoj emrat dhe rastet e tyre, sepse nuk është korrekte të keqpërdoren emrat e tyre. Më vjen keq që ka ndodhur rastet e tilla por, jam avokat i akredituar dhe respektoj identitetin e secilit. Janë luftëtarë të luftës, por nga ajo që kam dëgjuar nga dëshmitë e tyre nuk ka pasur ndonjë informacion që do të bëjë pjesë lidhur me vërtetimin e ndonjë fakti”.
”Njëri është gazetar i luftës e tjetri është dyshuar si civil që ka qenë pjesë e luftës. Nuk është numri i kufizuar, por s’mund të merresh me një rast të dyshuar konkret në një procedurë të përbashkët. Në një procedurë unë s’mund t’i mbrojë pesë persona sepse ka konflikt interesi”.
”Klienti im është intervistuar për dy ditë rresht në Prishtinë, e ky i fundit për dy ditë rresht në Hagë. Por gjatë hetimit prokurori siguron prova materiale dhe vlerëson nëse ka vend për ngritje të aktakuzës apo jo. Nëse pushohet hetimi, njoftohet me aktvendim që për një person të caktuar ka pushuar hetimi”.