Kosova po vazhdon të zbrazet edhe më tej nga qytetarët e saj, të cilët po kërkojnë një jetë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian dhe jo vetëm.
Nëpër qytete e fshatra që nga pas lufta janë ndërtuar shtëpi të reja, të bukura e të shtrenjta gjithandej vendit, nga mërgimtarët.
Kosovarët që jetojnë e punojnë në shtetet perendimore kanë investuar shumë në ndërtimin e shtëpive të reja që pastaj i kanë lënë vetëm e të zbrazta. Nëpër fshatrat e Kosovës, pothuajse gjatë vitit, shumë shtëpi kryesishtë të mërgimtarëve janë pa njerëz.
Edhe gjatë këtij viti vlerësohet se qytetarë të shumtë kanë lëshuar Kosovën, duke kërkuar një jetë më të mirë në shtetet e Bashkimit Evropian. Sipas ASK-së, 28 mijë e 164 persona braktisën Kosovën në vitin 2018, njofton Plus Tv.
E, papunësia e madhe vlerësohet të jetë edhe më tej arsyeja kryesore që po shtyn qytetarët të lëshojnë vendin.
Thuhet se qytetarët nuk po detyrohen përmes rrugëve ilegale të lëshojnë Kosovën, por që këtë po e bëjnë edhe përmes vizave të punës. Derisa thuhet se edhe gjatë këtij viti një numër i madh i qytetarëve ka marrë rrugën drejt shteteve të BE-së, në Kosovë nuk ekzistojnë të dhëna të sakta se sa persona kanë lëshuar vendin gjithsej.
Rritjen e emigrimit të kosovarëve drejt vendeve perendimore, e konfirmojnë edhe shifrat zyrtare.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë vitit 2018 popullsia e Kosovës pati një rritje natyrore për 18,562 ose u rrite për 1.02%. Në vitin 2018 është vlerësuar se 8,967 persona ndërruan vendbanimin (komunën) e tyre kurse 6,762 persona imigruan (përfshi te kthyerit) ne Kosove derisa numri i emigrimit ishte dukshëm me i larte ku 28,164 persona emigruan nga Kosova.
Bilanci i migrimit ndërkombëtar (migrimi neto) në Kosovë për vitin 2018 ishte -21,402 banorë.
Popullsia në Kosovë për vitin 2018 vlerësohet të jetë 1,795,666 banorë rezident.
Kampion i emigrimit është qyteti i Gjilanit, pasi banorët e këtij qyteti kanë emigruar më së shumti. Numri i emigrimit ishte dukshëm më i lartë ku 2,874 persona emigruan nga Kosova vitin e kaluar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga Anamorava vetëm gjatë vitit që shkoi janë rreth 5 mijë banorë që kanë marrë rrugën për në shtetet evropiane për një jetë më të mirë.
Prejse Kosova është shpallur shtet dhe deri më tani vendin e ka lëshuar 20% e popullsisë së saj. Në pesë vjetët e fundit 135 mijë qytetarë kanë ikur nga vendi në mënyrë joligjore dhe prej tyre janë kthyer vetëm 40 mijë.
/PlusTelevizion/