Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një bisedë për Gazetën Express ka konfirmuar se nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri është përfshirë në grupet punuese për harmonizim të programeve me Vetëvendosjen, mirëpo, thotë se ky nuk është emërim i veçantë për të drejtuar dialogun.
Lidhja Demokratike e Kosovës e Vetëvendosje janë duke i vazhduar takimet për harmonizim të programeve, me anë të grupeve punuese të cilat i kanë formuar pasi që kishin biseduar fillimisht në nivel të liderëve.
Dje, në takimin që u mbajt në Selinë Qendrore të LDK-së, u pa edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri që në zgjedhje e pati pozitën e shefit të shtabit. Për të u tha se është emëruar si shef i ekipit negociator, tani kur bisedimet mes dy partive janë duke shkuar drejt fundit.
Për këtë çështje, Gazeta Express ka kontaktuar liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.
Mustafa shprehet i bindur se brenda partisë të cilën ai e udhëheq nuk ka të atillë që e kundërshtojnë një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Kreu i LDK-së shton se për këtë çështje ishte vendosur në Këshill të Përgjithshëm.
“Në udhëheqësin e LDK-së nuk kemi njerëz të veçantë, të cilët e preferojnë dhe të tillë që e kundërshtojnë një koalicion të mundshëm me Lëvizjen VV. Kemi vendimin e Këshillit të Përgjithshëm me të cilin shprehet vullneti të negociohet për një koalicion me VV dhe jo me PDK-në.
Sa i përket emërimit të Lutfi Hazirit si shef të negociatave në partinë e tij, Mustafa thotë se nuk kanë bërë emërime të veçanta, pasi që dialogu përfaqësohet nga ai. Për Hazirin thotë se e ka parë të arsyeshme që të kyçet si nënkryetar.
“Këto janë koordinatat tona. LDK nuk ka bërë emërime të veçanta për drejtues të dialogut, por unë si Kryetar përfaqësoj LDK-në dhe caktoj përfaqësuesit tanë në këtë proces. Deri tani, kryesisht janë marrë z. Avdullah Hoti dhe z. Lumir Avdixhiku, të cilët janë anëtarë të Kryesisë dhe kanë punuar drejtpërsëdrejti ne Program, tani e kam vlerësuar të arsyeshme që të kyçet edhe z. Lutfi Haziri si nënkryetar i LDK-së”, shton Mustafa.
I njejti i ka thënë Express-it se pas koordinimit në mes të grupeve punuese, do të ketë përsëri takim në nivel të liderëve për ndarje të ministrive.
“Unë së bashku me znj. Vjosa Osmani kemi pasur takimin e parë me z. Kurti, pas zgjedhjeve. Për ndarjen e përgjegjësive do të bisedojmë, në nivel të liderëve të të dy subjekteve, pasi të kemi arritur pajtueshmërinë për Programin Qeverisës”, ka shtuar ai.
Isa Mustafa, lider i LDK-së nuk e ka komentuar mundësinë e përfshirjes së një partneri të tretë në koalicion. Ai tutje sistemin zgjedhor që sipas tij është i keq dhe ka nevojë që të reformohet.
“Dobësitë e detektuara nga KQZ-ja të procesit të numërimit të votave, të përcjellura me rinumërim, ndërhyrjet e palejueshme të komisionerëve për të shtrembëruar votimin si dhe numri i madh i votave me kusht dhe votave të pavlefshme flet se qytetarët e kanë bërë me përkushtim dhe ndershmëri punën e tyre, por se sistemi zgjedhor është i keq dhe ka nevojë domosdoshmërisht të reformohet”, ka përfunduar Mustafa.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje janë parti që kanë dalë të parat nga zgjedhjet e gjashtë tetorit. Qysh para këtij procesit kishin pasur një dakordim për bashkëpunim pas rezultateve, ku do të shihej edhe kujt i takon pozita e kryeminsitrit të ardhshëm.
Të njëjtat tashmë janë duke zhvilluar takime për koordinim të programit. Deri më tani janë zotuar se do t’i kenë 12 ministri, për të cilat ende nuk është arritur në dakordim se si do të ndahen.