Diskutimet ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrëveshje bashkëqeverisje, sot kanë kaluar në një nivel tjetër. Në orët e pasdites kandidati për Kryeministër Albin Kurti, ka zhvilluar takim me ish-rivalen e tij në zgjedhjet e 6 tetorit Vjosa Osmani.
Ky takim është bërë i ditur nga vetë lideri i VV-së Albin Kurti i cili nuk dha shumë detaje nga takimi.
“Bashkë me Vjosën biseduam sot për përgatitjet për qeverisjen e re dhe sfidat që na presin. Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë. Bashkëpunimi ynë është përkushtimi ynë” shkruan Kurti në Facebook .
Informacione shtesë rreth arsyes së këtij takim që i paraprinë atij ndërmjet grupeve punuese të planifikuar për nesër, nuk ka dhënë as LDK-ja.
Zëdhënësi i këtij subjekti politik Besian Mustafa, i tha “Gazeta Blic” se ky është një takim rutinë në vazhdën e takimeve për bashkërendimin e programit qeverisës.
“Është veç një takim në vazhdën e vullnetit të dy partive drejt një bashkë dyzimi të programeve tona dhe drejt një bashkëqeverisjeje. Nesër në orën 15:00 do të takohen grupet punuese në selinë e LVV dhe është temë diskutimi Rendi dhe Ligji” tha Mustafa për Gazeta Blic.
Por këtë situatë të qetë që e paraqet Mustafa, po e sheh ndryshe njohësi i çështjeve politike Krenar Shala.
Shala në një prononcim për “Gazeta Blic” ka theksuar se disa struktura të vjetra të LDK-së që janë ndëshkuar në zgjedhje po tentojnë të përfitojnë sa më shumë gjatë negociatave me LVV-në.
“Besoj që disa segmente apo struktura të vjetra të LDK-së, të cilët janë ndëshkuar në këto zgjedhje nga vëzhguesit, po tentojnë që të luajnë një lojë jo fer në mënyrë që të arrijnë të përfitojnë sa më shumë gjatë negociatave me VV-në për formimin e qeverisë. Besoj që koha e certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së po afron dhe poashtu po afrohet dita kur do të formohen institucionet e reja në përputhje me plebishitin qytetar të 6 tetorit” tha Shala.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk hyri në koalicion parazgjedhor me LVV-në pavarësisht tentativave të dy kryetarëve të partive respektive.
Bashkimi I Lutfi Hazirit si pjesë e grupit punues të LDK-së po shihet me skepticizëm pasi ky i fundit ka qenë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të LVV-së.