Qemajl Mustafa, kryetar i Degës së PDK’së në Gjilan, e ka gjetur fajin pse dështoi partia të dalë fituese. Po thotë se Partisë së Veselit i kishte hyrë hileti qysh më 2010 kur u konstatua vjedhje industriale e votave. Mustafa thotë se PDK nisi teposhtëzen në kohën e Thaçit. Shefi i Degës së PDK’së në Gjilan s’kishte hyrë në garë për deputet pasi përballet me akuza për krim e korrupsion. Thotë se edhe po të kandidonte vetë për deputet s’do të ndodhte mrekullia, ndërsa për Grabovcin e Besim Beqajn thekson se kurr s’ia kishin rritur votën PDK’së.
Besnik VELIU
Mbrëmjen e 6 tetorit pas mbylljes së vendvotimeve, nga PDK’ja kishin paralajmëruar një konferencë për media në të cilën do të jepej kumti i fitores. Por rezultati i marrë në terren ia kishte ndryshuar agjendën Veselit. Nga selia e partisë, përkrahësit e PDK-së morën lajmin që partia e tyre do të shkojë në opozitë duke qenë se kishin dalë të tretët pas LVV’së dhe LDK’së.
Këtë vendim Veseli e kishte marrë pas një takimi urgjent që kishte pasur me krerët e degëve të PDK’së nëpër gjithë Kosovën, të cilëve u kishte kërkuar të shenjestrojnë faktorët që e kishin quar drejt rënies, rënie për të cilën kreu i kësaj partie në Gjilan, Qemajl Mustafa, thotë se ka filluar qysh në kohën kur partia drejtohej nga Hashim Thaçi.
Qemajl Mustafa thotë se Kadri Veseli s’është përgjegjës për humbjen e fundit pasi lideri i ri i PDK’së e kishte marrë partinë më 2014 në gjendje të keqe nga Hashim Thaçi.
Ish-kryetari i Gjilanit thotë se edhe në zgjedhjet e parafundit, PDK-ja do të humbte nëse nuk do të bënte koalicion me AAK-në dhe NISMA-n.
“Duhet të jemi shumë kritik. Kur e marrim PDK’në si subjekt, PDK’ja ka filluar më herët me ra dhe ky është mendim i imi personal, do të duhej me shku në opozitë në vitin 2014 dhe kësaj here PDK’ja do të kthehej fuqishëm në qeverisje, por nuk ka ndodh kjo, dhe do të shkojmë tash në opozitë”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Mustafa thotë se Veseli ka qenë i suksesshëm dhe që nuk mund t’i kërkohet përgjegjësi, pasi votat e marra më 6 tetor, sipas tij tregojnë se ka rritje në disa komuna dhe që PDK’ja tashmë është më mirë krahasuar me votat e marrë në zgjedhjet e 2014-ës dhe në zgjedhjet kur kishin bërë koalicionin me PAN-in.
Kreu i degës së Gjilanit thotë se PDK’ja gjithashtu ia ka parë sherrin zgjedhjeve të 2010-ës kur ishte konstatuar nga të gjithë se kishte pasur vjedhje industriale, dhe askush nuk kishte ndërmarrë asgjë.
“Por unë jam shumë i sigurt që PDK’ja nuk ka nis me ra me Kadri Veselin dhe jam i sigurt që s’ka nisë. PDK është stabile pas këtyre zgjedhjeve dhe sigurisht edhe me u rritë. Rënia e PDK’së nisë gjatë mandatit të dytë prej vitit 2010 e pas, sepse ka pasur edhe shumë probleme, sepse atëherë kualifikuan ndërkombëtarët e vendorët që ka pasur vjedhje industriale të votave mes partive politike dhe kurrkush s’ndërmori asgjë”, ka shtuar tutje Mustafa.
I pyetur nëse rënia e PDK’së ka nisur me Thaçin, Mustafa përgjigjet bindshëm.
“Po..po, absolutisht po. Dhe ne nuk mund të fajësojmë Kadri Veselin”, thotë ai.
Si faktor për rënien e partisë, Mustafa e sheh edhe faktin e të qëndruarit gjatë në pushtet, mos arritjen e përmbushjes së kërkesave të shumta të qytetarëve dhe për faktin se në syrin e opinionit publik është krijuar perceptimi për nivel të lartë të nepotizmit e korrupsionit.
E për gjithë këto probleme të cilat e kanë zhvendosur PDK’në në vendin e tretë e në opozitë, Mustafa thotë se kanë bërë nga një analizë secila degë, dhe thotë që tashmë po presin nga krerët e partisë një lexim të kujdesshëm të analizave të hartuara nga degët.
“Objekti i analizës ka qenë se sa kanë ndikuar faktorët lokal dhe qendror në rezultatin e zgjedhje, sa kemi funksionu tash, nën shtabet e shtabet nëpër degë e tjera, dhe i kemi qit krejt në letër dhe i kemi çu, dhe na presim që me i lexu kujdesshëm ato analiza. Kështu është zotuar kryetari, që e ka një ekip që merret me atë punë, dhe kanë me dalë me një analizë qendrore mandej”, shton tutje Mustafa.
Në këtë intervistë Qemajl Mustafa ka folur edhe për iniciativën e Kadri Veselit për moskandidimin në zgjedhjeve të emrave që kanë probleme me ligjin, të cilën e konsideron si vendim të mië.
Megjithatë ish-kreu i Gjilanit thotë se PDK’ja do të kishte marrë diku 2 mijë vota më shumë në rast se partia do ta kishte përfshirë në listën për deputetë, pasi thotë se ka punuar gjatë kohës sa ka qenë kryetar dhe që ka një imazh të mirë në Gjilan. Megjithatë thotë se nuk do të kishte ndodhur ndonjë mrekulli.
Sipas tij edhe nëse do të ishte futur Sami Lushtaku në listën për deputet potencialisht mund t’i sillte edhe rreth 1 mijë vota më shumë, ndërsa teksa flet për disa figura të tjera të vjetra të PDK’së si Adem Grabovci e Besim Beqaj, thotë se ata asnjëherë nuk e kanë rritë votën e PDK’së
“S’kish me ndodh mrekullia. Sepse nëse e kisha rrit për 2000 vota po e zëmë edhe për 1000 vota kish me e rritë Sami Lushtaku. Nuk kish me e rritë Grabovci votën sepse se ka rritë… nuk kish me e rritë Besim Beqaj , se se ka rritë kurr”
Derisa ka folur për rezultatin e marrë nëpër komuna, Mustafa ka treguar se brenda strukturave të PDK’së janë krijuar rryma të ndryshme e rivalitetet të cilat janë shfaq edhe në zgjedhjet e 6 tetorit. Sipas tij ky rivalitet i brendshëm ka dërguar edhe në thyerje të brendshme, e që si pasojë thotë se iu është reflektuar edhe në rezultat zgjedhor.
“PDK ka pas probleme, derisa nuk hym në procesin e brendshëm zgjedhor. Janë krijuar rryma, grupe, fise brenda PDKsë. Ka pas rivalitete e ato janë shfaq edhe gjatë procesit zgjedhor. Ka pas shumë … se po fiton ajo e anë ose kjo anë, kush po i fiton degët.. dhe s’ka qenë aspak e lehtë. Në Prizren nuk është gjendja mas miri për shkak të këtyre thymjeve. Qysh në Gjilan, në Gjilan tri grupime rryma të ndryshme e kanë përcjellë PDK’në për këto 6 vite”, ka potencuar Mustafa.
Ai thotë se tashmë është duke punuar në unifikimin e strukturave, pasi që nuk mund të lëvizet përpara pa relaksim të raporteve brenda degëve, pasi sipas tij ka pasur hatrime të ndryshme për çështje të ndryshme, meqenëse PDK’ja ka qëndruar gjatë në pushtet.
“Tek tash jemi duke u unifikuar, dhe ka ardhe besimi kogja mirë në vend. Dhe pa relaksim të raporteve brenda degëve, edhe brenda krejt strukturës nuk lëvizin partitë. Partië që gjatë rrinë në pushtet, partitë që kanë ndarë resurse që kanë qenë në pushtet natyrisht që ka hatrime, edhe sa i përket angazhimit, përfaqësimit, punësimit, gradimeve e plotë”, thekson kreu i PDK’së në Gjilan.
Ndërkohë për akuzat dhe fenomenin e vjedhjes së votave brenda partive, Mustafa thotë se nuk mund të fajësohet vetëm PDK’ja këtu. Sipas tij edhe partitë tjera nuk dallojnë shumë në këtë aspekt, përveç Vetëvendosjes.
Sa u përket akuzave të këshilltarit të Kadri Veselit për vjedhje votash, Mustafa thotë se sa është e vërtetë që mund t’ia kenë vjedhur votat Blerim Latifit, mund të jetë i vërtetë edhe fakti se filozofi i PDK’së mund të ketë qenë i njohur në media por jo edhe në politike e në struktura të PDK’së gjithandej Kosovës.
“Shpesh njerëzit e krijojnë idenë e vlerës së madhe për veten, e pastaj kur ballafaqohen me realitetin zgjedhor e s’iu del bash qashtu, mandej fillojnë me fajësu e iu duket që gjithkush iu ka faj”, shprehet Mustafa.
Sa u përket deklaratave të kreut të PDK’së në Skenderaj se do t’i kërkojë përgjegjësi Veselit për rezultatin, Mustafa thotë se është plotësisht në të drejtën e Sami Lusthaktu që të kërkojë një gjë të tillë.
Ndërkohë i pyetur për deklaratën e hershme të Lushtakut se “S’ka bir nane që mlargon prej PDK’së”, Mustafa thotë se është ngutur, pasi që Veseli nuk ka thënë që do të largojë dikënd prej partisë, pasi që në fund të fundit nuk ka as të drejtë të bëjë diçka të tillë.
“ Nuk e di për këtë. Por është plotësisht demokratike që ai (Lushtaku) me kërkua përgjegjësi prej Kadri Veselit, është plotësisht në të drejtën e tij. Ai mundet me e thanë mendimin e tij, ne e dëgjojmë me vëmendje, por vendos shumica. Ndërkaq në fillim u pat ngut, unë e pata thanë z.Lushtaku, sepse z. Veseli nuk pat marrë vendim për me e çkyq dikënd prej partisë. S’ka pas thanë ai që e qet dikënd prej partisë, sepse nfund të fundit nuk ka të drejtë Kadri Veseli me e qit dikën prej partisë, janë disa mekanizma statutar e ligjor”, shprehet zyrtari i PDK’së për Express.
Për ndonjë kërkesë potenciale për dorëheqjen e Veselit, Mustafa thotë se mund të jetë legale, pasi që secili e ka të drejtën ta thotë mendimin e vetë.
“Legale mund të jetë. Sepse statuti i PDK’së ia njeh të drejtën secilit individ me e thanë mendimin e vet, dhe me e bo kërkesën e vetë. Po presim ditët që vijën, të certifikohen rezultatet të qetësohen ujërat e pastaj shofim”.
Në fund i pyetur se pse ende PDK’ja nuk ka kryesi të partisë, Mustafa thotë se një gjë të tillë e ka Veseli në dorë, dhe i mbetet atij që të caktojë emrat, bazuar në kritere të qarta.
“Unë po mendoj që kryetari e ka lënë vetë pak me pushu me e pa rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Përndryshe kryetari e propozon para këshillit kryesinë si tërësi. Është detyrë e tij me i zgjedh 27 emra të mirë, me kritere të qarta dhe me e bë atë kryesi”, ka përfunduar Qemajl Mustafa për Gazetën Express./GazetaExpress’/