Bujqësia edhe sot e kësaj dite nuk e gëzon tretmanin që duhet ta ketë. Edhe këtë vit po vazhdon trendi i rënies së kultivimit të grurit në Kosovë.
Bujqit ankohen për çmimin e ulët. Mbjellja e grurit mund të bëhet vetëm deri më 10 nëntor, deklarojnë për KosovaPress, bujqit dhe njohësit e bujqësisë.
Njohësit e bujqësisë apelojnë te fermerët që të mbjellin sa më shumë grurin, pasi Kosova nuk po arrin të përmbushë nevojat e veta për konsum. Sipas tyre, këta të fundit duhet të mobilizohen fort, pasi që mbjellja e grurit mund të bëhet vetëm deri më 10 nëntor.
Se ka rënë interesimi i bujqve për kultivimin e grurit e thotë bujku Halim Hashani, për të cilin mbjellja e kësaj kulture bujqësore është duke u zvogëluar çdoherë e më shumë. Për këtë, ai thotë se po ndikojnë një mori faktorësh.
“Sivjet kemi mbjell me sasi më të vogël sepse çmimi i grurit është shumë i ulët dhe kushtet klimatike po ndikojnë, thatësia, po kemi shpenzime të mëdha, kështu që e kemi reduktu. Vitin e kaluar kemi mbjellë 2-3 herë më shumë se tash… Sivjet i kam mbjell 4 hektarë, vjet i kam pasur 8, e do vjet më parë i kam pasur 20 hektarë”, tregon ai.
Në mënyrë që bujqit e Kosovës të merren me kultivimin e grurit, sipas tij, duhet të plotësohen disa kushte.
“Kishim kërkuar naftën me na e dhënë më lirë, me na subvencionuar edhe në plehra dhe në fara. Fara është shumë shtrenjtë dhe jocilësore, vjen e klasit të tretë tek ne, nuk vjen e klasës së parë kurrë në Kosovë, i shkruan që jep rendiment, por nuk e jep kurrë atë rendiment”, shton ai.
Se rendimenti i sivjetmë i grurit ka qenë i ulët, e thotë për KosovaPress edhe Tahir Tahiri, kryetar i Sindikatës të Bujqve të Kosovës.
Ai tregon se këtë vit nuk është arritur të sigurohen më shumë se 15 përqind nevojat e bukës, gjë që shkakton sërish varësi nga importi.
Sipas Tahirit, bujqit nuk duhet të presin kushte ideale, pasi nëntori mund të ketë reshje të vazhdueshme dhe tu pamundësojë këtyre të fundit mbjelljen e tokave të tyre.
“Kemi informacione se diku rreth 5 përqind të sipërfaqeve të planifikuara janë mbjellë. Mirëpo, pjesa dërrmuese e bujqve po presin kushte më të mira klimatike, po presin që të ketë të reshura, që të ketë lagështi në arat që mendojnë me mbjellë grurin. Unë iu them se edhe përkundër kësaj lagështie, ta mbjellin grurin patjetër sepse ka rrezik me fillu të reshurat e nëntorit dhe mos me u ndal fare. Atëherë bujku nuk do të mund të hyjë në arë fare dhe kështu do të dështojë”, shprehet ai.
Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci i tha KosovaPress-it, se bujqësia edhe sot e kësaj dite nuk e gëzon tretmanin që duhet ta ketë, sidomos në prodhime strategjike siç është kultura e grurit.
Ai thotë se duhet të stimulohet produktiviteti i punës në bujqësinë primare dhe të ketë indikator matës, teksa apelon te të gjithë fermerët që kultivimit të grurit t’i qasen me seriozitetin më të madh, që mbjelljet të përfundojnë më së largu deri më 10 nëntor.
“Neve na nevojitet një shkallë e madhe e mobilitetit në përgjithësi nga fermerët, gjithë shërbimi ekstensionit ose këshillimor dhe institucionet përkatëse që të monitorojnë, që të angazhohemi dhe të ballafaqohemi sa më tepër me mbjellje sa më të mëdha të sipërfaqeve kultivuese me këtë kulturë strategjike që po flasim për grurin, për faktin se ne nevojat ushqyese me këtë artikull jetik që është buka nuk i plotësojmë sa dhe si duhet dhe që të prolongojmë një import marramendës që bëhet me këtë kulturë, e cila nuk justifikohet”, thotë ai.
Ai thekson se thatësia që po mbretëron në vend prolongon afatin e mbjelljes, porse apelon që të zbatohet mbjellja.
Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që të priten të reshurat në mënyrë që të zbatohen masat parapërgatitore të tokës për mbjellje, pasi mund të ketë prolongime të gjata, ku përkeqësimi i motit do të pamundësonte operacionin e mbjelljes.
“Sipërfaqet e planifikuara që ishin vitin e kaluar nuk u realizuan pothuajse gjysma e tyre si pasojë e ariditetit dhe këtë vit Kosova do të ketë sërish import marramendës për grurë dhe produktet e grurit, miell gruri etj., dhe konform kësaj, mendoj që këtë vit nëse e kemi një shkallë më të lartë të përgjegjësisë dhe të mobilizimit në teren, dukshëm mund ta reduktojmë importin që të kemi sa më pak import për grurë, që të prodhojmë sa më tepër bukë nga arat tona… 4:01 Unë apeloj, unë rekomandoj, te të gjithë fermerët në nivel vendi, që kësaj mase të rëndësishme agroteknike t’i qasen me seriozitetin më të madh, që mbjelljet të përfundojnë më së largu deri më 10 nëntor, por në mbjelljet e 10 ditëshit të parë të nëntorit të shtohet sasia e repromaterialeve edhe e farave, edhe e plehrave për 10-25 përqind në raport me normën e planifikuar”, shprehet ai.
Ndërkaq në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thonë se deri më tash është mbjellë gjysma e sipërfaqes së planifikuar për kulturat bujqësore.
Isuf Cikaqi, drejtor i Politikave Bujqësore në MBPZhR, thotë se deri më tash është mbjellë 50 përqind e sipërfaqes së planifikuar, teksa shton se është herët të flitet për rendimentin e grurit për vitin tjetër.
“Deri më tani, sipas informacioneve që i kemi prej terrenit, është mbjellë 50 përqind e sipërfaqes së planifikuar, e cila për këtë vit është 70-80 mijë hektarë, komplet me kulturat lavërtare që mbillen në vjeshtë. Ndërkaq për rendiment është herët të japim një konkludim”, thotë ai.
Kosova po përballet vazhdimisht me mungesë të grurit. Ndonëse me tokë të pëlleshme bujqësore, bujqit ankohen se nuk kanë kushte të favorshme për kultivimin e kësaj kulture strategjike, nga e cila thonë se nuk po kanë fitim.