Negocimin e postit të presidentit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që po pretendojnë të formojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës, shoqëria civile po e konsideron si të gabuar dhe jo parimor. Teksa këto dy të parat thonë se ende nuk kanë folur për të parin e vendit, por pa e mohuar se do të merren vesh për këtë çështje, VV kërkon të dijë sa është baraspesha e kësaj pozite nga radhët e LDK-së.
Në lidhje më këtë, nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi për KosovaPress, thotë se mund të diskutohet për këtë çështje me LDK-në për të evituar mundësinë e ndonjë krize politike në vitin 2021.
Pikërisht për këtë çështje, dje i pari i LDK-së, Isa Mustafa bëri të ditur se do të negociohet çështja e presidentit me Vetëvendosjen, por pa caktuar emra.
Ndërkohë, kritik për këtë çështje janë pjesëtarët e shoqërisë civile, nga organizata joqeveritare, “Çohu”, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress, se pozita e presidentit nuk duhet të hyjë në pazare politike, pasi ai duhet të jetë në bazë të një konsensusi të përgjithshëm.
Mendim të njëjtë për këtë ka edhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, i cili thotë për KosovaPress, se pozita e presidentit do të duhej të lihej pas përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit.
Presidenti i tanishëm i Kosovës, Hashim Thaçi, po ashtu ka marrë pozitën e tij si pjesë e një marrëveshje politike mes LDK-së dhe PDK-së.