Ideja e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës është e hershme. Diskutimet e para mes dy qeverive kanë filluar që kur Hashim Thaçi ishte kryeministër e më pas kanë vijuar me Isa Mustafën dhe Ramush Haradinaj.
Edhe pse autoritetet shqiptare në të dy anët e kufirit shprehnin dakordësinë maksimale për këtë nisëm, ajo nuk u materializua kurrë. Arsyeja ishte e thjeshtë: Serbia pretendonte se heqja e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës ishte ‘de facto’ krijimi i Shqipërisë se Madhe. Dhe sigurisht, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as Bashkimi Europian nuk mund të lejonte një lëvizje si kjo, çka rrezikonte ta kthente Ballkanin vite pas në kohën e konfliktit të vazhdueshëm.
Por, pavarësisht se vitet kaluan, qeveria shqiptare nuk e harroi planin për të mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave mes Shqipërisë dhe Kosovës. Tre muaj më parë, kur Presidenti serb Vuçiç propozoi një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik mes gjashtë vendeve të Ballkanit, ku iniciatore do të ishin Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, Edi Rama këmbënguli për të rikthyer në tryezën e bisedimeve çështjen e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu sigurisht edhe Kosovën.
Rama, Vuçiç dhe Zaev ranë dakord, mes të tjerash, për heqjen e kufijve mes vendeve të tyre, çka do të mundësojë që shqiptarët, maqedonasit dhe serbët të lëvizin lirisht, vetëm me një kartë identiteti nga njeri vend në tjetrin, ndërkohë që nuk do të ketë kontrolle dhe as ndalesa në pikat kufitare mes këtyre vendeve. E njëjta gjë vlen edhe për mallrat.
Gjithashtu, u ra dakord të ftohet edhe Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova për të qenë pjesë e kësaj nisme, sigurisht pa iu imponuar askujt dhe duke respektuar vullnetin e çdo vendi për të patur marrëdhënie të tilla dypalëshe me cilindo prej vendeve të tjera.
Deri tani është e paqartë se cili do të jetë qëndrimi i qeverisë së re të Kosovës nën drejtimin e Albin Kurtit. Por duke patur parasysh qëllimin e shprehur të Vetëvendosjes për të bashkuar Shqipërinë me Kosovën, duket e vështirë që drejtuesit e ri në Prishtinë të jenë kundër nismës më të fundit, të pagëzuar si Shengeni Ballkanik.
Ndoshta Kosova nuk do të pranojë të ketë marrëveshje bilaterale për lëvizje të lirë me Serbinë, për sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur. Por kjo nuk e pengon aspak Tiranën dhe Prishtinën të nënshkruajnë mes tyre marrëveshjen historike për të zhdukur kufijtë mes shqiptarëve.
Një mision ky, që për vite me radhë u mbajt e bllokuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që tani, nën ombrellën e bashkëpunimit më të gjerë rajonal, gëzon mbështetjen e të gjithë partnerëve të shqiptarëve./Top Channel