Numri i përdoruesve aktivë të substancave narkotike në Kosovë llogaritet të jetë rreth pesë (5) mijë. Shqetëson fakti se në mesin e tyre ka edhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.
Me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, Task-Forca Anti Drogë dhe Siguri në Shkolla në bashkëpunim me institucionet e tjera nga ky muaj pritet të fillojë fushatën sensibilizuese antidrogë, e cila ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve nga rreziku i përdorimit të narkotikëve.
Të dhënat e fundit tregojnë se përdorimi i narkotikëve nga të rinjtë dhe nxënësit është në rritje. Shefi i Task-Forcës Shtetërore për Anti Drogë dhe Siguri në Shkolla, Avdullah Hasani, tha për Radio Kosovën se qëllimi i Task Forcës është që përmes organizimit të aktiviteteve qytetarët e në veçanti të rinjtë të vetëdijesohen dhe të informohen për rrezikun e përdorimit të narkotikeve.
“Qëllimi i Task-Forcës është që përmes fushatës të bëhet parandalimi dhe informimi i saktë i të gjithë qytetarëve të Kosovës për problemet që mund të shkaktohen nga përdorimi i narkotikëve në Kosovë. Për arsye se përdorimi i narkotikeve mund të rrezikojë sigurinë në përgjithësi dhe dërgon mesazh jo të mirë për gjeneratat e reja”, tha ai.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, i tha Radio Kosovës se përdorimi i narkotikëve në shkolla është mjaft shqetësues dhe përgjegjësinë për këtë e bartin të gjithë, përfshi prindërit, institucionet qendrore dhe lokale si dhe Task-Forcën shtetërore .
“Shqetësimi për përdorimin e narkotikëve nga të rinjtë është i të gjithëve dhe për këtë përgjegjësia është e të gjithëve si e prindërve, institucioneve lokale, qendrore dhe Task Forcës, që së bashku të bashkërendojnë të gjitha veprimet dhe aktivitetet. Shpresojmë që në të ardhmen mos të ketë kësi lloj probleme që në shkollat tona fillore dhe të mesme nxënësit mos të kenë mundësi të përdorin substanca narkotike”, tha ai.
Sipas hulumtimeve të bëra, ndër moshat e prekura që kanë filluar të përdorin drogën janë edhe nxënësit e shkollave fillore.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, vetëm në këtë vit janë arrestuar 984 persona të dyshuar për përdorim të drogës, në mesin e tyre 194 nxënës.