Komuna e Gjilanit, në aspektin e trashëgimisë kulturore, nuk ngelë mbrapa pjesëve tjera të Kosovës. Që nga themelimi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në fund të vitit 2014, kjo trashëgimi ka nisur të evidentohet, të incizohet dhe të dokumentohet përmes krijimit të dosjeve si dhe marrjes nën përkujdesje institucionale.
Nga: Sabit RRUSTEMI
Brenda kësaj periudhe kohore ( 2004 – 2019 ), në komunën e Gjilanit janë viizituar mbi 150 objekte kulturore, prej të cilave, me propozimin dhe kompletimin e dosjeve nga QRTK-ja, 23 objekete – lokalitete arkeologjike si dhe 37 objekete arkitekturore, tashmë gëzojnë mbrojtjen e përkohshme nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës.
Nga fusha e trashëgimisë së luajtshme, janë gjetur katër objekte – eksponate që sot ndodhen në Muzeun e Qytetit. Po, njëkohësisht janë evidentuar edhe tri hapësira të trashëgimisë natyrore.
Mbrapa nuk ka ngelur as trashëgimia shpirtërore, ku deri më tash janë nxjerrë, një botim për kalanë e Pogragjës ( Sherafedin Kadriu: KALAJA E POGRAGJËS, 2008 ), dy edicione ( libra ) me shkrime për trashëgiminë kulturore në Krahinën e Anamoravës ( 2016, 2018 ) ku, vend të dukshëm ka zënë edhe trashëgimia kulturore e komunës së Gjilanit si dhe janë incizuar e dokumentuar pesë valle të Karadakut (2018) si dhe një numër i konsideruar anekdotash popullore, të cilat janë botuar në formë libri . (Sabit RrustemI: “STINA E MESELEVE”).
Përkundër kësaj, vlerësohet se kjo komunë ende ka resurse të pahulumtuara, tashmë të evidentuar nga përnjohja e terrenit, realizuar nga Instituti Arkeologjiki Kosovës (IAK). A, besohet se nëntoka ruan një thesar të begatë të kësaj trashëgimie, sidomos në Pellgut e Moravës së Binçës, ku më të njohura janë, Cërnica, Budriga e Poshtme dhe e Epërme, Llashtica, Nasala e pjesa e Grykës së Karadakut (Pidiqi).
Duhet veçuar sidomos lokalitetin e Pogragjës, shkaku i Kalasë, e cila është jo vetëm një thesar po edhe një resurs i madh turistik që, çuditërisht është anashkaluar deri tash nga institucionet e Kosovës, për sa i përket hulumtimit arkeologjik .
Në dy vitet e fundit, sa iu përket objekteve arkitekturore që janë në mbrojtje të përkohshme institucionale, 37 sish, nuk ka pasur asnjë investim, qoftë emergjent apo edhe renovues, përkundër kërkesave të shoqëruara me projekte, qoftë nivelit qendror apo dhe atij lokal.
Nga një vizitë këtyre objekteve që gjenden kryesisht nëpër fshatra dhe vise kodrinoro – malore ( Verë, 2019 ), gjendja e tyre del të jetë kritike.
Qindra eksponate të trashëgimisë kulturore, të cilat janë bërë me Shtëpinë e tyre – Muzeun e Qytetit, (28 nëntor 2016), i cili vizitohet në mënyrë permanente nga shkollat fillore dhe të mesme të Gjilanit po edhe qytetarë të anëve të ndryshme të Kosovës dhe bashkatdhetarë tanë, shkaku i pamundësisë financiare për t’i mirëmbajtur, nuk janë në gjendje të kënaqshme dhe nuk i përmbushin kushtet për ekspozim, ani se ende qëndrojnë nëpër vitrinat e Muzeut, po edhe në depo.
Një intervenim urgjent është më se i domosdoshëm, si për pjesën arkitekturore ashtu edhe për trashëgiminë e luajtshme – eksponatet e Muzeut.
Komuna e Gjilanit, përmes njerëzve përgjegjës duhet të ushtrojë ndikim pozitiv në institucionet qendrore po, të ndajë edhe mjete nga buxheti i saj për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe zbardhjen e kësaj trashëgimie, sidomos tash kur e ka nëpër duar hartimin dhe aprovimin e Buxhetit për vitin 2020-të.
Njëkohësisht, edhe nevoja për një staf të rregullt dhe në përputhje me konditat e Muzeut, është tashmë i pashmangshëm dhe komuna duhet të mendojë për këtë.
(Autori është koordinator komunal për trashëgimi kulturore)