Nesër bëhen dy javë prejse grupet punuese, ai i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i kanë përmbyllur takimet për harmonizimin e planprogramit qeverisës. Që prej atëherë këto dy parti, të cilat po shihen si partnerë potencialë për krijimin e qeverisë së ardhshme, nuk kanë zhvilluar asnjë takim mes vete. Madje ato nuk kanë caktuar as ndonjë datë se kur mund të ketë një takim të tillë, ndonëse po shprehen se kjo mund të ndodhë javën e ardhshme, shkruan Gazeta “Zëri”.
Meqë procesi zgjedhor po vazhdon të jetë në rinumërim, nga LDK-ja tashmë është bërë e ditur se pa përfunduar procesi i tërësishëm zgjedhor dhe pa u certifikuar rezultatet nuk do të ketë takim të nivelit të lartë me Vetëvendosjen.
Në takimin e ardhshëm, i cili mund të zhvillohet mes kreut të Vetëvendosjes Albin Kurtit dhe atij të LDK-së Isa Mustafës, temë bisedimi pritet të jetë dialogu dhe roli i presidentit aktual Hashim Thaçit në këtë proces.
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, pohon se partia e tij ka arritur dakordim të kënaqshëm me Lëvizjen Vetëvendosje sa i përket harmonizimit të programit qeverisës.
Në një prononcim për “Zërin” Avdyli ka theksuar se tashmë kanë mbetur të mbahen takimet mes dy liderëve, të cilat do të ndodhin javën e ardhshme.
“Pjesa e takimeve për çështjet programore është kryer dhe ka përafrim substancial në këto çështje. Tani kanë mbetur vetëm takimet e nivelit të lartë, pra mes liderëve të cilat do të ndodhin shumë shpejt, besoj javën e ardhshme, sepse kjo javë akoma është në rinumërime. Jam optimist se në kohën e duhur në kuadër të afateve kushtetuese do të bëhet edhe formimi i Qeverisë”, ka deklaruar Avdyli.
Ai ka theksuar se koalicioni LVV – LDK do të ndodhë dhe se vendi nuk do të shkojë përsëri në zgjedhje, pasi një gjë e tillë do të ishte fyerje për qytetarët.
Ndonëse LDK-ja ka theksuar se bisedimet e nivelit të lartë me Vetëvendosjen nuk do të fillojnë pa u certifikuar rezultatet, Avdyli ka thënë se për një gjë të tillë nuk mund të fajësohen partitë, por procedurat e stërzgjatuara të procesit zgjedhor.
“Faji nuk është te LDK-ja e te Vetëvendosja pse nuk po bëhet Qeveria, por është te KQZ-ja dhe te procesi i stërzgjatur i rinumërimit e i certifikimit dhe shumë të tjera që nuk varen nga ne. Ne i kemi kryer detyrat tona si parti. Situata është shumë e qartë, ka një atmosferë të mirë, janë mundësitë, janë numrat e mjaftueshëm të deputetëve për krijimin e Qeverisë dhe nuk ka arsye të shkohet në zgjedhje, por do të vazhdohet me hapat e mëtutjeshëm”, ka përfunduar ai./ZERI