Të paktën një deputet i LDK’së mendon se çështja e Presidentit s’duhet të diskutohet tash me Vetëvendosjen. Në këtë kohë, Fatmir Rexhepi po kërkon marrëveshje për formimin e Qeverisë. Madje, po thotë se pajtimi duhet të arrihet gjithqysh pasi s’ka alternative tjetër. Në një bisedë për Express, ish-Ministri i Brendshëm ka sqaruar edhe mospajtimet me Lutfi Hazirin në Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së për koalicionin me VV’në.
Deputeti i LDK’së, Fatmir Rexhepi e ka pranuar se ka pasur mospajtime në Këshillin e Përgjithshëm kur kanë folur për koalicionin me Vetëvendosjen. Përplasjen e kishte pasur me Lutfi Hazirin kur ishte hapur tema e koalicionit.
Rexhepi thotë se edhe në organin më të lartë partiak ka thënë se s’ka alternativë tjetër pos marrëveshjes me Vetëvendosjen.
“Në mbledhjen e fundit të kryesisë së LDK-së kam shprehur mendimet e mia sa I përket çështjes së marrëveshjes për koalicionin që alternativë tjetër nuk ka përpos koalicionit mes VV-së dhe LDK-së”, ka thënë Rexhepi dhe ka sqaruar përplasjen me Nënkryetarin e LDK’së
“Kurse nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ka ndërhyrë pas fjalës time dhe nuk është pajtuar me propozimet e mia lidhur me këtë çështje. Mendoj që ka bërë një veprim jo të arsyeshëm politikisht dhe unë nuk desha me u marr me të do të kemi rast të i sqarojmë ato në forumet e partisë pa dashur me e zmadhu atë far pune le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”, ka shpjeguar Rexhepi.
Edhe të shtunën ish-Ministri i Punëve të Brendshme është shprehur pro një koalicioni me VV-në dhe që postin e Presidentin ta lënë për më vonë. Një pozicion ky i njëjtë sikur i Lëvizjes Vetëvendosje.
Rexhepi po kërkon që marrëveshja të arrihet sa më shpejt dhe me çdo kusht.
Sipas tij, kur të vijë koha e zgjedhjes së Presidentit dy kryetarët duhet të ulen dhe të gjejnë një emër që ka konsensus të plotë të të dy partive.
“Duhet me çdo kusht të arrihet konsensusi i plotë dhe në radhë të parë të konstituohet kuvendi ditën e enjte pastaj qeveria në pajtim të plotë sipas marrëveshjes dhe në vazhdimësi hapat tjerë edhe konsensus të plotë edhe për postin e Presidentit kur t’i vijë koha me u zgjedh Presidenti”, ka thënë Rexhepi, për Express, të shtunën.
Qe 75 ditë janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë ku është ditur kush është fitues por ende s’ka një marrëveshje VV-LDK. Edhe pse ishte paralajmëruar gjatë gjithë fushatës se marrëveshja do të arrihej posa të përfundonin zgjedhjet, një gjë e tillë ende s’ka ndodhur. Dy partitë janë bllokuar në pazarin për Presidentin.
LDK po kërkon pozitën e Shefit të Shtetit si zotim nga Vetëvendosje. Albin Kurti është përgjigjur se kjo çështje do të diskutohet në fillim të vitit 2021 kur i përfundon mandati Hashim Thaçit, i cili ka caktuar seancën konstituive për javën e ardhshme.
Fatmir Rexhepi i LDK’së thotë se marrëveshja me Vetëvendosjen duhet të nënshkruhet para 26 dhjetorit.
“Unë e vlerësoj që para datës 26 dhjetor që së bashku edhe LDK-ja edhe VV-ja ta arrijnë koalicionin dhe ta dërgojnë në vend mesazhin e votës së elektoratit të zgjedhjeve të gjashtë tetorit dhe këtë ja kemi për borxh të dy partitë”, u shpreh Rexhepi.
Rexhepi tha se Kurti e Mustafa duhet në pajtim të plotë të gjejnë një emër që është kuadër i duhur edhe për VV-në edhe për LDK-në.
“Ne po duam me udhëheqë bashkë me qeverisë bashkë edhe Presidentin me bë në pajtim të plotë në diskrecionin që u takon dy kryetarëve të ulen të merren vesh se cili do të ishte kuadri më i mirë i Lidhjes Demokratike apo tjetër nëse vlerësohet se e ka konsensusin e LDK-së si dhe e kundërta konsensusin e Vetëvendosjes”, u shpreh Rexhepi
Ai tutje shtoi se Vetëvendosja nuk ka nevojë të frikohet nga emri i propozuar për President nga ana e LDK-së.
“Është herët të nxjerrim emër të Presidentit dhe nuk ka cka të frikohet Vetëvendosja nga emri I Presidentit të cilin do ta propozojë LDK-ja kur t’I vijë koha zgjedhjes sepse nuk dihet se cka ndodhë edhe një vjet e gjysmë mendoj që as VV-ja nuk duhet të mbetet peng I kësaj sepse interesi për të formuar qeverinë është shumë I madh që të zgjidhet Kryeministri të formohet qeveria dhe të vazhdohet me punë”, tha ai.
Rexhepi ka thënë se do t’I jap përkrahje të plotë koalicionit mes VV-së dhe LDK-së edhe në forumet e LDK-së
Ish-ministri tha se të dy palët duhet të kenë vesh politik edhe ndaj deklaratave të miqve ndërkombëtarë.
“Kemi edhe deklaratat e shteteve të QUINT-it që duhet t’I dëgjojmë dhe të formojmë institucionet sa më parë”, tha ai.
Deri më tash, Vetëvendosje përpos pozitës së Kryeministrit pritet të marrë edhe pesë ministri aq ministri sa prite të këtë edhe LDK’ja plus pozitën e Kryeparlamentarit dhe eventualisht të Presidentit.
Partia e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28.
LDK, prej se kanë përfunduar zgjedhjet, e ka bërë të qartë se pozita e Shefit të Qeverisë i takon partisë fituese. Ndërkaq, Isa Mustafa po vazhdon të kërkojë pozitën e Presidentit, Kryeparlamentarit dhe janë pajtuar me VV që të kenë pesë Ministri dhe Zëvendëskryeministrin e Parë.
Megjithëkëtë, Albin Kurti dhe Isa Mustafa janë pajtuar të ndajnë pozitat qeveritare, megjithëse, lideri i VV’së u tall publikisht, në një intervistë televizive, me idenë e Kryetarit të LDK’së që gjithqysh të merrte Ministrinë e Punëve të Brendshme. LDK, bazuar në raportimet për marrëveshje, do të marrë edhe , Ministrinë e Mbrojtjes, atë të Infrastrukturës, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe sektorin e arsimit.
Albin Kurti është pajtuar të marrë financat, diplomacinë, shëndetësinë, drejtësinë, ambientin dhe bujqësinë.
Kulturën dhe Kthimin ua kanë lënë minoriteteve.
Pavarësisht se po vazhdojnë bisedimet për Qeverinë e re, zyrtarë të dy partive kanë vazhduar të lëshojnë akuza për njëri-tjetrin.
Para disa ditësh, Kurti provokoi Mustafën nga Tirana kur tha se Kryeministrat e mëhershëm kanë vjedhur derisa lideri i LDK’së kërkoi të mos bëhen provokime të tilla pasi minojnë çfarëdo bashkëpunimi ndërpartiak./GazetaExpress/