Të enjten pritet të mbahet seanca konstituive, ndërkaq LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk janë marrë vesh për arritjen e marrëveshjes finale. Asnjëra prej partive nuk kanë njoftuar zyrtarisht se kur do të ndodhë përballja e radhës mes liderëve të subjekteve negociuese, megjithëkëtë deri te mbledhja konstituive palët tashmë pritet t’i bëjnë orvatjet e fundit për t’i kapërcyer ndasitë ekzistuese.
Duke parë ngërçin e krijuar mes LVV-së dhe LDK-së njohësi i çështjeve politike Naim Rashiti ka ofruar një alternativë se si mund të vihet deri te marrëveshja për formimin e qeverisë së ardhshme. “Qeveria të përbëhet nga 15-16 ministri, LVV-ja ta marrë kryeministrin dhe 6 ministri, LDK-ja ta marrë zëvendëskryeministrin e parë dhe 7 ministri, minoritetet t’i marrin 3 ministri”, ka deklaruar ai.
Në kuadër të kësaj Rashiti ka paraqitur edhe një opsion sa i përket pozitës së presidentit, pikës që deri tash ka bllokuar marrëveshjen mes dy partive dialoguese. “Kur të vijë koha shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së propozojnë me konsensus kandidatin për president, me kusht që kandidatura të jetë e pranueshme së paku edhe për një pjesë të opozitës, shkruan gazeta Zëri.
Pra më shumë se votat e koalicionit qeverisës. Në rast të dështimit të këtij kandidati, sipas së njëjtës procedurë, shefat e grupeve parlamentare të LDK-së e të LVV-së të marrin miratimin e opozitës për kandidatin/en tjetër për president”, ka theksuar ai. Në të kundërtën në rast se dyja palët vazhdojnë me zvarritje Rashiti ka thënë se ato nuk do të bëjnë asgjë, pos që do t’i përsërisin skenarët e qeverive të kaluara. “Nëse LVV-ja dhe LDK-ja zvarrisin procesin e formimit të institucioneve për shkak të balancimit të forcave, ato do të bëjnë atë çka qeveritë e kaluara kanë bërë. Pra asgjë ndryshe”, ka potencuar ai./ Zëri.