Kuvendarët e Gjilanit, në seancën e fundit për këtë vit, të cilën e ka kryesuar Shpresa Kurteshi-Emini, kanë shqyrtuar dhe miratuar rregulloren për transparencë, planin e punës të Kuvendit për vitin 2020, vendimin për orarin e mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2020, raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në procesin e emërtimit dhe adresave, vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, raportin e punës për sivjet dhe planin për vitin e ardhshëm të KKSB, derisa tri pikat që kishin të bënin me raportet e punës të ndërmarrjeve publike, me propozimin e Hevzi Xhelilit (PDK) i kanë shtyrë për vitin tjetër.
Me kërkesën e Mimoza Kadriut (Nisma), Kuvendi diskutoi edhe për problemin e furnizimit me ujë të pijes, ku sqarime për gjendjen aktuale, për zgjidhjen emergjente dhe planet për një zgjidhje afatgjatë, ka dhënë nënkryetari Arbër Ismajli, i cili e ka vlerësuar të drejtë shqetësimin e këshilltares komunale.
“Jemi të vetëdijshëm për gjendjen, prandaj jemi duke i bërë të gjitha përpjekjet për një zgjidhje emergjente, e cila ka filluar përmes hapjes së puseve dhe disa prej tyre tashmë janë injektuar në rrjetin kryesor, për ta zbutur sadopak mungesën e ujit”, ka thënë Ismajli.
Për më tepër, nënkryetari Ismajli, ka thënë se jemi në rrugë të mbarë për të bërë një zgjidhje afatgjate të furnizimit me ujë të pijes, përmes Bankës Botërore, e cila ka ndarë 10 milionë dollarë për këtë qëllim.
Kuvendi ka zhvilluar debat gjithëpërfshirës për të gjitha pikat e rendit të ditës, por vëmendjen më të madhe e tërhoqi raporti i komisionit për ankesa në procesin e emërtimeve, ku me diskutime, vërejtje e propozime u përfshinë Xhevat Demiri, Shefik Surdulli, Anila Tusha, Fitim Guda, Ibish Ibishi, Gentrit Murseli, Imrane Thaçi, Xhelal Hajrullahu, Shemsedin Elezi, Erlehta Osmani, Avdyl Aliu, Mimoza Kadriu, Vjollca Matoshi, Burim Berisha dhe të tjerë.
Bardhyl Syla, kryetar i Komisionit, ka thënë se në këtë proces, kanë pranuar dhe shqyrtuar gjithsej 244 parashtresa, të cilat janë paraqitur nga Këshillat lokalë, Iniciativat qytetare, banorë të lagjeve, individë të caktuar si dhe nga vetë Komuna.
Prej tyre, janë aprovuar 102 parashtresa dhe ankesa, 89 janë refuzuar, ndërsa 53 kërkesa kanë qenë për emërtime të reja.
“Ne si komisionin jemi munduar të mos e dëmtojnë unitetin e komunitetit në një lokalitet të caktuar, me rastin e shqyrtimit të ankesave”, ka thënë Syla.
Kryesuesja e Kuvendit, Shpresa Kurteshi-Emini tha se komisioni do t`i marrë parasysh vërejtjet dhe propozimet konkrete që u bënë nga anëtarët e Kuvendit dhe pasi t`i shqyrtojë dhe të vendos për to, në seancën e radhës, do të vijë me një informatë shtesë.
Përndryshe, ajo vlerësoi se ky komision ka bërë një punë shumë të rëndësishme brenda mandatit që i ka dhënë Kuvendi, për shqyrtimin e ankesave në procesin e emërtimit dhe adresave.
Mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, ashtu siç kishin paralajmëruar, e bojkotuan anëtarët e VV si dhe gjysma e anëtarëve të PDK-së, si pjesë e opozitës, e cila ka shprehur mospajtime me një vendim të mëhershëm të Kuvendit rreth lokacionit të varrezave të reja në lagjen Zabeli dhe po kërkon ndryshimin e tij.
Projekti i varrezave të reja të qytetit ka filluar të realizohet në bazë të një vendimi të mëhershëm të Kuvendit Komunal, planit zhvillimor komunal dhe vendimit të qeverisë së Kosovës, që kjo pronë, e cila ishte nën administrimin e AKP-së, t`i jepet Komunës së Gjilanit për këtë destnim.
Kuvendarët e Gjilanit miratojnë raportin e komisionit për ankesa në procesin e emërtimit dhe adresave
Ndani këtë artikull