Nexhmedin Ymeri, i lindur në Gjilan më 24.03.1949 është punësuar në Radio Gjilan, më 1974, gazetar, ku pas tri viteve u emërua redaktor përgjegjës. Pos shkrimeve, redaktimit dhe udhëheqjes së emisioneve të drejtpërdrejta, ka përcjellë rregullisht ngjarjet kulturore e sportive. Në Radio Gjilan e pati fillur një ceremoni në fund të vitit, ku shpërbleheshin më të dalluarit e Vitit ndër amatorë, në lëminë e kulturës e të sportit, me programe te realizuara në fillim në sallën e Teatrit e më vonë në Pallat të sporteve, me titull “Amatorët e vitit…”.
Kontributi i Nexhmedin Ymerit në afirmimin e sporteve të ekipeve të Gjilanit është i pamohueshëm. Veçmas ka shkruar, moderuar e komentuar ndeshjet e futbollit, hendbollit, basketbollit, volejbollit e boksit. Ka bashkëpunuar edhe me Radio Prishtinën (sot Radio Kosova), “Rilindjen”, revistat e shumta kosovare, kurse një kohë punoi edhe në Radiot dhe në televizionet lokale të Gjilanit. Ishte komentator i shumë takimeve të ekipeve sportive të Gjilanit, kurse me nostalgji kujton komentimin e ndeshjes finale për kupën e Kosovës, në mes të Dritës dhe Gjilanit të zhvilluar në stadiumin (sot Fadil Vokrri) , në Prishtinë, ku, pas ekzekutimit tê penalltive, fitoi Drita. Tash e gjashtë vite, ai gjendet në pension dhe me kërshëri përcjell ekipet gjilanase dhe, i gëzohet çdo suksesi, pa dallim!