Del me qeleshe në trotuar skajit, vetë –me të vëllain në ndërrim, pranë ndonjë lokali ku nuk pengon ata në lokal brenda –dhe pret blerësit e qelesheve. Nuk ka lokal të vetin afarist sepse nuk ka mundësi. Kohë e rëndë erdhi për të gjithë zantet, po për zanatin e qelesheve, më së rëndi. Qeleshet që ishin dhe janë indetitet për shqiptarin gjithmonë, që baheshin nga të gjithë, tani në kohën e re rrallë kush më mban.
Zakonisht qeleshet shiten në festa e në kohë sezonash kur vijnë tanët nga jashtë, por edhe tek ndonjë turist i rastit. Qeleshet kanë origjinë të vjetër ilire e pellazge. Në gravurat antike shohim Odiseun, shohim shumë zotëra antikë, shumë ceremoni në Babilon të shërbëtorëve të tempujve dhe shumë ushatër në beteja, -me qeleshe në krye!
Punimi i qelesheve kështu nga vetë bartja nga gravurat ka traditë mijra vjeçare. Nga
ilirët e dalmacisë qelesheja dhe dollama kaluan në veshjen e lartë fisnike në roma, sa me kohë edhe vetë papa e muar atë dollamën me disa ngjyra si dhe qeleshen e ngushtë!…
Në Gjilan këtë zeje e zhvilluan mjeshtrrit të ardhur nga Gjakova. Ata punonin atë kohë qeleshe dhe kapuqë fesa të kuq e të zinjë, por nuk ka shënime në kohë të turkut për zejtarët e qelesheve. Pas Luftës së dytë Botërore ishin 3 punishte qeleshesh në Gjilan me 5 punëtorë, nga viti 1951. Mjeshtrit ishin Muharrem Jaha, Isa R. Mula dhe Haki Lota, -të gjithë nga Gjakova, -dhe të gjithë me punëtori atëherë në rrugën tani “Adem jashari”.
Ndërkaq në Dokumentet Komunale të vitit 1970 është shënuar një qeleshepunues në Gjilan, që furnizonte me qeleshe Gjilanin me rrethinë të gjërë.
Në Gjilan mbahej e bartej –si edhe tani qeleshja e rrumbullakët gjysmësferike! Ka përndryshe si e dijmë e shohim qeleshe të gjata, të mesme e të shkurta, si dhe qeleshe të rrafshta, por të gjitha të bardha. Kjo traditë etnike dhe atdhetare u ruajt gjithmonë, përkundër përpjekjeve gjithmonë qeleshja të hiqej,a të zëvendësohej me mbulesa të zeza, të kuqe e të jeshilta, nga lindja e nga vetë pushtuesit në anë të ndryshme të etnisë tonë, të ndarë në shumë shtete, si është edhe tani! Qeleshja ishte edhe dinjitet dhe krenari, rrebelim e kundërshti pushtuesve dhe me qeleshen lidhen kohrat më të stuhishme por edhe më të lavdishme të kombit tonë në gjithë historinë!…
Zotëri Bashkim Jaha na tha se me zejen e punimit të qelesheve merrej 33 vjet, që nga mosha 18 vjeçe. Zejen e kishte të mësuar dhe të trashëguar nga i ati Isa Jaha, që gjithashtu e kishte ushtruar këtë zanat në Gjakovë nga rinia, derisa kishte ardhë në Gjilan viteve të ‘Pesëdhjetë. Në të vërtetë nga kjo moshë kishte nisë punën me të atin në punëtori, se përndryshe kjo zeje ishte preokupim që nga fëmijëria, pasise
punët në bërjen e qelesheve preokuponin gjithë shtëpinë dhe me atë zanat mbahej atëherë familja.
I ati Isa atë kohë kishte blerë shtëpi në Gjilan dhe kishte pasë punëtorinë e vet publike në qendër të Qytetit, sepse atëherë kishte pasë mundësi –sepse qeleshet kërkoheshin shumë –pasise shumica e popullsisë mbanin qeleshe, -jo si tani. Ishte zanat i levërdishëm më parë dhe për më tepër i përkrahur në masë edhe nga komuna, me lehtësime.
Zotëri Bashkimi na tregoi se ende punon qeleshen si më parë, me vegla të vjetra si tha, pasise për të reja dhe për investim duhet euro shumë, që nuk bëhen pasise paraja bëhet nga qarkullimi i duhur, e jo si tani, që mezi bëhet sa për mbijetesë. Për këtë punëtorinë tha mjeshtri se e kishin në shtëpi, në një hapësirë të vogël, sa për të mundur të punonin qeleshet. Ishte në këtë zanat me të vëllain, -të vetmit në Gjilan që e kishin mbajtë punën deri tani, me çdo kusht, por më shumë nga vullneti e dashuria për
zanatin.
Ndërkaq në syprinën e vogël të një tavolinëze kishte në shitje edhe kapela, të cilat mjeshtri na tha se i mbanin sa për ta plotësuar kërkesën e njerëzve për kapela.
“Plisat punohen prej leshit të dhenve të cilësisë së lartë. Nuk është lehtë të punohet një qeleshe. Ka disa procedura dhe faza deri tek punimi final i qeleshes. Për një qeleshe nevojiten rreth 90 gr lesh deleje. Leshi lahet e pastrohet mirë, mandej bëhet shkrifja e tij me hark, përzihet me ujë të ngrohtë e sapun, mandej punohet me dorë në kallëp special dhe me masë, si dhe në fund squfurohet…-Në kohë të hershme familja me këtë zanat janë mbajtë pa problem, por tani falëmnderit Zotit që janë festat dhe
bashkatdhetarët, e ndonjëherë ndonjë turist! Qeleshja është edhe shenjë dhe identitet i kombit tonë dhe nuk është mirë të harrohet tradita. ”
Mjeshtri mandej na tregoi çmimet e qelesheve, -që tani ishin 5 euro, e të kapelave tjera 6 euro.
Ne përmendëm një qoshe a anë në qytet, në qendër, ku do të ishte mirë të ishte një rend lokalesh për zanatet në Gjilan, të cilat ishin mbi 50 e tani janë zvogëluar dhjetëfish. Këtë e çmoi edhe mjeshtri dhe tha se një qoshe e tillë zejtare do të ishte ndihmë shumë e madhe për qytetarët tanë, po që të tilla ka edhe çdo qytet në botë. Kjo ishte detyrë parësore e Komunës thamë, pasise zanatet gjithë bota i mba dhe ushtron dhe me to mbahen gjysma e botës. Komuna ka bërë një kënd të mirë por vetëm për artarët,
e që duhet të jetë e tillë edhe për të tjerët, po në rend të parë për mjeshtrit e qelesheve!
“Shitja e qelesheve”, -vazhdoi mjeshtri, -“nuk është si duhet, por duhet të punohet e mbahet kjo zeje shumë e çmuar dhe identifikuese për kombin tonë. E kemi trashëguar nga babai e të parët dhe ne do ta mbajmë dhe përcjellim tutje. Shitje të qelesheve bëjmë vetëm në Gjilan. Blerësit e qelesheve na njohin dhe e dijnë se ku shesim dhe ku i mbarojmë, në çdo kohë! “
Zotëri Bashkimi, mjeshtri i njohur në qytet e rrethinë për punimin e qelesheve na tha për fund se do ta vazhdonin këtë zanat, por do të ishte mirë dhe shpëtim sikur të ndihmonte e përkrahte Komuna, si që edhe kishin premtuar shumë herë, por që nuk kishin ndërmarrë ndonjë ndihmë konkrete asnjëherë, sëpaku me ndonjë lokal dhe ndonjë donacion për investim elementar! Ne kemi shpesh lajme nga komunarët për përkrahjen që ua bëjnë Komuna e qeveria bujqëve, -kah u jep farë e drithra, mjete ndihmëse e kompenzuese, u jep vegla pune e shërbimi si dhe u ndihmon në punimn
e tokave. Na tregojnë si u japin edhe lopë, traktorë, lëndë djegëse e ushqime për kafshë, -por nuk u kujtuan kurrë që kështu sëpaku njëherë të përkrahin zejtarët, të cilët shumica u shuan, mu sepse nuk patën më mundësi të ringjalleshin me kapital e me lokale!
Është detyrë e Komunarëve Përgjegjës që njëherë më të bëjnë diçka për zejet në Gjilan, e në rend të parë për këtë zejën e qelesheve, që është diçka e dalluar, pasise bën shenjimin dhe dallimin etnik të shqiptarit, -që na përket neve të gjithëve, e jo vetëm komunarëve!
Mjeshtri po është mjeshtër dhe i tillë mbetet, përtej gjitha mundësive, vetëm për të mbajtë të gjallë dashurin për punën dhe zanatin, -por edhe për të ruajtë në zemër thellë ndjenjën fisnike të rrënjës së etnisë së shqiptarit, që sëpari identifikohet me qeleshen e bardhë të hyjshme! /GJILANI.INF0/