Përtej emocionit, një ditë si kjo nuk mund të kapërcehet vetëm në shënimin simbolik, pa u kthyer prapa në kohë. Jo pak, jo me vjet, as dekada, por prej mëse një shekulli e tëhu gjakim deri te lufta e pashembullt (jo vëtëm për shqiptarët) e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Përpjekjet e shqiptarëve, e të gjithë atyre idealistëve që i thirreshin atdheut mbi të gjitha nevojat, dëshirat e dashuritë, nga “opinga” e malësorëve të regjur kryengritës, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e Rilindasve për bërjen e një Shqipnie, duke kaluar betejë pas beteje të kryengritjeve shqiptare, të legjendave kaçake mbi shkëmb e gurë, të atyre që e kuptonin rrezikun e zhbërjes se kombit, ishin të jashtëzakonshme – titanike.
Jo vetëm me luftën e armatosur, shqiptarët nuk i ndalën përpjekjet e tyre për çlirim, për liri e bashkim kombëtar. Ata, ndër breza u sakrifikuan, duke u përndjekur e u persekutuar mizorisht burgjeve (jugo)sllave, për idealin e tyre – për Shqipninë nanë!
Qe moti i fitores sublime, i ngadhnjimit mbi të gjitha mizoritë barbare serbe, ai i vitit 1999: epoka e triumfit çlirimtar; e artit të luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të komandantit të saj legjendar – Adem Jashari; e të pashmangshmes ndihmesë vellazërore e Shqinisë sonë, që tërhoqi vëmendjen përfundimtare edhe të mbështetjes diplomatike dhe ushtarake evropiane dhe asaj botërore të aleatëve tanë, drejtuar nga Amerika.
Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si dhe çdo përvjetor të saj, nuk duhet ta përjetojmë vetëm si akt festiv i lindjes së saj, si emocion të çastit, pa kapërcy nëpër historinë tonë të lavdishme të martirizimit kombëtar; të veprës heroike të heronjve e të dëshmorëve tanë; të luftëtarëvë të lirisë; të përndjekurve e të burgosurve politikë, si dhe të të gjithë atyre brezave që u sakrifikuan për ktë ditë të lavdishme.
Pra, e ardhmja e ndritur e shtetit të Kosovës është e ndërtuar mbi këto premisa.
Gëzuar!
/ShS/