Shkruan: Arbër Ismajli
Në shënim të 30 vjetorit të themelimit të njërës nga familjet më të mëdha demokratike, Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte dhe do të mbetet përgjithmonë vatër e mendimit të besëlidhjeve të mëdha. Në 30 vjetorin e formimit, zhvillimit dhe arritjeve, LDK ka farkuar zellshëm dhe me përkushtim, mendimin dhe idetë demokratike.
Si një akademi politike, që nisi dhe sforcoi, nuk bëri dhe nuk bënë kompromis me ngritjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, pra, LDK ishte dhe mbeti postulati kryesor për Liri, Demokraci dhe Pavarësi.
Mendimi i çiltër, i një intelektuali të madh, siç ishte, Ibrahim Rugova, presidenti historik i këtij vendi të bekuar, tashmë me një traditë nga më të vjetrat në hapësira etnike, Lidhja Demokratike e Kosovës, hapëron në decenien e tretë, gjithnjë, si shembull i rotacioneve në lidership, ne treguam dhe po e vulosim faktin, se demokracia është mundësi kryesore për të patur një shoqëri të mirëqenë.
LDK-ja, në shënimin e 30 vjetorit, nuk ka sesi të mos marrë pergjegjësitë, për të kapur dinamikën e kërkesave të mëdha të shoqërisë. Republika, në rrugën e integrimeve, kërkon dinamikë dhe lidership të përgjegjshëm. Ne duhet të kompenzojmë kohën e humbur. Huqjet dhe inatet politike, do të duhej të na mësonin sesi të ecet mbarë, pa baltën e gabimeve!
Në përgjithësi, kjo familje politike, ka stabilitet të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e saj intelektual. Ajo është më sublimja dhe më e drejtpërdrejtja, e ndjenjave të përgjithshme të të gjithë shqiptarëve, për të qenë gjithë kohën të bashkuar, si në periudhën e organizimit politik, në atë të rezistencës e të mbijetesës, si dhe në periudhën e ndërtimit demokratik të vendit.
LDK-ja, me politikën e saj paqësore, intelektuale e më pas përmes grupeve të para të organizuara çlirimtare, u bë pohimi i asaj që ka filluar nga presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, me krijimin e hershëm të miqësisë me akterët më me peshë ndërkombëtarë, me përmbylljen e fitores së luftës nacional-çlirimtare, e deri tek përmbyllja dhe finalizimi i shtetësisë sonë më 17 shkurt, 2008.
Pra, në rrethanat e pushtimit, në dekadën e fundit të shekullit XX, LDK-ja arriti të bëjë ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, si dhe të jetë strumbullar i unitetit të brendshëm të popullit të Kosovës. Me vizionin e tij politik, me urtësinë dhe mençurinë që e karakterizonte, Presidenti Rugova, që ishe në krye të LDK-së, krijoi shumë miq anekënd botës. Megjithatë, në fokus të diplomacisë së tij ishin qendrat kryesore të vendimmarrjes botërore, Uashingtoni, Londra, Parisi, Roma, Berlini, Vjena, Brukseli.
Përveç kësaj, vlerësoj se faktorë kyç të kësaj rruge të gjatë politike, janë të gjithë burrat, gratë dhe të rinjët, e sidomos, flijuesit me jetë, të cilët e humbën jetën nga rrethanat e orientimit të tyre politik, ideor e kombëtar. LDK-ja ka kultivuar dhe do ta kultivojë me zell të veçantë ndjenjën e nderimit dhe të përuljes, përpara kujtimit të të gjithë atyre që, në kohë e në rrethana të ndryshme, punuan dhe sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj prosperuese.
Bashkë me suksese të reja!