Institucionet e Kosovës duhet të trajtojnë më seriozisht cornonavirusin në Kosovë.
Për këtë kërkohet që sa më shpejt të merren të gjitha masat preventive, përkitazi me veprimet që i kanë marrë shtetet rajonale.
Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, thotë për KosovaPressin se janë duke e mbikëqyrur situatën nga afër për t’i marrë masat e nevojshme.
“Masat e para janë ndërmarrë në bazë të një plani bukur me detaje në rast të reagimit nëse përhapet ky virus në vendin tonë. Masat preventive nuk janë të dëmshme. Unë besoj se do të jemi të trend me zhvillimet që ndodhin. Do të mbikëqyrim situatën nga afër dhe do të marrim masat e nevojshme”, thotë ai.
Vendime të shpejta kërkoi dje edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij Qeveria duhet të jetë më e kujdesshme dhe do t’ishte me interes të merren masat e duhura.
“E ftoj Qeverinë që të jetë shumë e kujdesshme dhe përgatitur. Jemi dëshmitarë që të gjitha hapësirat përreth Kosovës janë prekur. Do të ishte me interes që vendimet të merren me kohë. Mundësisht sot, vendimet dhe masat që kanë marrë edhe vendet e tjera të rajonit, por edhe vendet e prekura”, tha ai.
Ndërsa, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, përmes një përgjigje me telefon thotë se institucionet e vendet nuk po e trajtojnë me seriozitetin e duhur çështjen e virusit.
“Çështja nuk është serioze aq sa duhet me qenë. Ne si përfaqësues të punëtorëve nuk jemi të përfshirë në këshillin që është formuar, por ky virus duhet të trajnohet më seriozisht dhe të merren masat ashtu siç janë marrë në vendet e tjera”, thotë ai.
Megjithëqë që ka pasur të dyshuar, deri tani në Kosovë nuk është paraqitur asnjë rast me coronavirusin.