Zyra për informim e Gjilanit ka bërë të ditur se, kryetari Lutfi Haziri ka themeluar ekipin ndër-sektorial të Gjilanit si masë preventive kundër Coronavirusitë. “Sot e kam themeluar ekipin ndër-sektorial, që do të merren mbi baza ditore për parandalim të përhapjes së këtij virusi. Jemi në koordinim të vazhdueshëm edhe me Spitalin Regjional, Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, policinë dhe të gjitha institucionet tjera relevante”, ka thënë Haziri.
“Ju lutem, mos shkaktoni kurrfarë panike. Jemi bashkë në përballimin e kësaj situate, duke qenë të organizuar dhe të disiplinuar. Me ndihmën e Zotit dhe ndihmën tuaj, do ta përballojmë këtë situatë”, ka theksuar Haziri. Ai ka njoftuar se të gjitha tubimet publike dhe aktivitet kulturore e sportive dhe aktivitet e prokurimit janë ndërprerë deri më 27 mars.
Kryesuesi i ekipit, drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemaili, ka deklaruar se do të dezinfektohen objektet e institucioneve komunale ku ofrohen shërbime, si dhe të gjitha objektet shëndetësore. Ai ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë mbështetje më të madhe në furnizim me mjetet mbrojtëse, sidomos për personelin shëndetësor.
Gjatë ditës, do të ketë komunikim të vazhdueshëm për publikun nga ana e ekipit ndërsektorial komunal.