Edhe Komuna e Gjilanit, respektivisht Komisioni Emergjent i Gjilanit, është duke ndërmarrë masat e nevojshme për të evituar përhapjen dhe rrezikun nga koronavirusi (COVID-19). Sot në cilësinë e kryesuesit të këtij komisioni, prezantova një raport të masave dhe veprimeve të ndërmara për të rritur sigurinë shëndetësore në Komunën e Gjlanit.
Deri tani kemi bërë dezinfektimin e objekteve të ndryshme publike, siç janë administrata komunale, biblioteka, stacioni i autobusëve dhe qendra e mjekësisë familjare në lagjen Dardania.
Ndërsa kemi filluar me dezinfektimin e objektit të Stadiumit, Stacionit Policor, Palestrës Sportive, si dhe ditëve të ardhshme do të bëhet edhe dezinfektimi i të gjitha objekteve publike.
Po ashtu, në koordinim me Kryetarin Lutfi Haziri, kemi vendosur për mbylljen e Tregut të Kafshëve për afat të pacaktuar, largimin e të gjithë shitësve të pemëve dhe perimeve nga hapësira publike, ndalimin e shitjes së ushqimeve në hapësirat publike, lirimin e njërit prindi nga puna (nëse punojnë dy prej tyre), si dhe lirimin nga puna të shërbyesve civilë që kanë probleme shëndetësore.
Bashkë me Inspeksionin Komunal do të jemi në monitorim të vazhdueshëm për të siguruar respektimin e vendimeve. Shkelja e tyre, do të pasojë me masa ligjore.
JO panik, por kujdes i madh!