Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë sot në videokonferencën “Western Balkan Conference” të organizuar nga Kancelari Austriak Sebastian Kurz.
Përmes një njoftimi dërguar për media, nga Qeveria kanë bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet që të jetë i përkushtuar për Kosovën.
“Popullsia e Kosovës është e re dhe energjike prandaj nuk dyshoj se ne mundemi të punojmë shumë. Por, është e domosdoshme që edhe Bashkimi Evropian të punojë dhe të jetë i përkushtuar për neve”, ka shtuar ai.
Tutje, Kurti ka deklaruar se në këto ditë pandemie, kur të gjitha shtetet po i mbyllin kufijtë, kuptohet sa e rëndësishme është liria e lëvizjes.
Ai thotë se megjithatë, Kosova do të vazhdojë të qëndrojë e izoluar edhe kur kjo të përfundojë.
“Në këtë krizë pandemie ku qytetet e shtetet gjithandej globit po i mbyllin kufijtë e po i izolojnë njerëzit e tyre, ne e kuptojmë se sa e rëndësishme është liria e lëvizjes. Por kur pandemia të përfundojë, qytetarët gjithandej Evropës do të jenë të gatshëm të lëvizin lirshëm sërish nëpër Evropë, përderisa ne në Kosovë do të mbetemi të izoluar. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është stërgjatë”, ka deklaruar kryeministri./Express