Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas takimit me Komisionin komunal për emergjenca në parandalim të koronavirusit Covid19, ka mbajtur konferencë për media, ku ka ftuar qytetarët për kujdes maksimal, por pa shkaktuar panik sepse deri më tani gjendja është nën kontrollë dhe nuk kemi asnjë qytetarë që është i prekur nga ky virus.
Haziri ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin maksimal që kanë treguar gjatë këtyre ditëve sikur që ka falënderuar edhe komunitetin e biznesit dhe të gjitha institucionet e përfshira në këtë plan të veprimit për parandalim të virusit.
“Gjilani deri më tani nuk ka asnjë rast të dyshimtë. Nuk ka hapësirë për panik në asnjë moment. Me këtë nivel të kujdesit që kemi deri tani, duhet të vazhdojmë edhe më tutje, kryesisht në higjienë, masa mbrojtëse dhe në qëndrim në shtëpi. Ekipi i emergjencës është në një përbërje të gjerë të institucioneve të përfshira në këtë mobilizim për parandalim, kemi profesionistë të të gjitha fushave që të trajtojmë profesionalisht dhe teknikisht si duhet çdo rast eventual që mund të paraqitet”, ka thënë Haziri.
Ai ka kërkuar nga bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë, që ta bëjnë testin dhe t’i ndihmojnë qytetarët në mbrojtjen nga COVID19.
“Hyrjet e qytetarëve nga Maqedonia Veriore, por edhe nga Serbia janë shumë të vogla në numër. Jemi të mobilizuar me mbështetjen edhe të të gjitha fshatrave të Gjilanit dhe më gjerë, është duke u menaxhuar shumë mirë deri më tani dhe lusim të gjithë bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë, që të bëjnë testin dhe të na ndihmojnë në mbrojtjen nga COVID19. Gjilanasit janë treguar gjithmonë të pjekur dhe të kujdesshëm në mënyrë që situatat e vështira t’i kalojmë së bashku. Furnizimet me ushqime nuk do të mungojnë në tregun e Gjilanit nga komuniteti i biznesit. Nuk ka nevojë të bëhen grumbullime të ushqimeve të tepërta sepse është një vështirësi financiare për familjet gjilanase”, ka thënë kryetari.
Ai gjithashtu ka potencuar se në ekipin komunal të emergjencës ka përfaqësues të profesioneve të ndryshme dhe të përgatitura për t’u përballur me këtë virus.
“Kemi mikrobiolog, biokimista, epidemiolog dhe stafin e përgatitur në të gjitha fushat për të garantuar shëndetin e qytetarëve të Gjilanit dhe regjionit”, ka shtuar Haziri.
Haziri për fund ka apeluar që të ketë solidaritet mes vete, të përshëndetemi me zemër e jo me duar, të kujdesemi maksimalisht për fëmijët, familjet dhe pastërtinë në përgjithësi.
Drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, Ukshin Ismajli, përfaqësuesja e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Gjilan, Ajhane Sherifi, drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha, kanë thënë se mantilbardhët dinë, duan dhe do t’ia dalin, por kjo të bëhet vetëm me kujdes dhe pa panic, duke besuar në punën profesionale të organeve shëndetësore.