Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka treguar se çka nënkupton Gjendja e Jashtëzakonshme pas propozimit të presidentit Hashim Thaçi që të vendoset për shkak të koronaviurisit.
“Gjendje e Jashtëzakonshme shpallet kur ka raste të sulmit që rrezikon sigurinë kombëtare, kur ka trazira të brendshme dhe kur ka fatkeqësi elementare apo emergjenca siç është epidemia. Presidenti ka të drejtë për të shpallë dekretin dhe brenda 48 orëve Kuvendi duhet të hedhë në votim që ta miratojë apo ta hedhë poshtë”.
“Ajo nënkupton që kufizohen disa të drejta dhe liri themelore të njeriut. E para është liria e lëvizjes që detyron qytetarët që t’i përmbahen rregullave që vendosin kohën e caktuar se kur duhet të dalësh. Personat që janë të përfshirë me këtë epidemi duhet të izolohen qoftë në shtëpi, qoftë në spitale. Të mos të mbahen tubime publike, kulturore dhe sportive, si dhe në kohë të caktuar të mos kenë ecje në vende publike”.
“Në këtë rast mund të jetë në kohën e natës apo pjesërisht ditës. Mund të jenë edhe vende të caktuara si në pjesën urbane apo rurale, varësisht sa është i përfshirë vendi prej kësaj epidemie. Edhe mosha mund të përcaktohet pasi kjo epidemi i prekë më të vjetrit atëherë mund t’iu kufizohet plotësisht personave mbi moshën 65 vjeçare”.
Ibishi tha se ka variante të ndryshme që kufizojnë lirinë dhe të drejtat elementare, por jo t’i shkelë ato.
“Policia e Kosovës merr urdhra që të zbatojë masat e mobilizimit dhe të zbatohen këto urdhra. Deri sot nuk është shpall Gjendja e Jashtëzakonshme edhe pse ka pasë ndalesa, por tani janë masa strikte dhe rigoroze. Kemi kapacitete të bollshme dhe ta zbatojmë në plotëni këto masa”.
Megjithatë, eksperti i sigurisë tha se pavarësisht sa strikte janë masat, ato po ndërmerren për parandalim për të mos infektuar me këtë virus dhe për të mos e përçuar tek të tjerët.
Atyre që me doemos iu duhet të punojnë sikurse janë gazetarët, Ibishi tha se do t’u jepen leje speciale dhe do t’iu sigurohet transporti në orët e vona.
Por, sa mund të zgjasë Gjendja e Jashtëzakonshme?
“Varet sa e përcakton Parlamenti. Mund të jetë 60 ditë, 90 ditë deri në 150 ditë maksimumi. Nëse s’ka përmirësim të situatës atëherë kjo varet. Kjo do të jetë më pak se një muaj”.
“Mund të ndëshkohen dhe do të jenë shumë të rrepta edhe me burg të menjëhershëm. Ka raste të ndryshme. Për shembull, Serbia ka marrë disa masa interesante edhe në kufizim kohor, të moshës, a është lëvizja në pjesën rurale apo urbane. Se si do të ndodhë në Kosovë do të shohim nesër”.
Kush do të lejohet të punojë?
“Në këtë kohë strikte do të jenë ato ushqimore dhe barnatoret. Po ashtu, emergjenca do të jetë në funksion, por edhe për shërbime tjera. Administrata do të ketë një regjim tjetër dhe do të përshtatet krahas gjendjes së jashtëzakonshme”.
Gjendja e Jashtëzakonshme mund të mos shpallet nëse nuk ka 2/3 e votave të deputetëve.