Albin Kurti po bën thirrje të mos shkaktohet krizë e re politike anipse ditë më parë shkarkoi një Ministër dhe vuri në rrezik koalicionin qeverisës. S’ka dashur të flasë nëse gjatë ditëve në vazhdim do të flasë si Kryeministër në largim pasi ka thënë se s’mund të parashikojë gjërat e tilla.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe për mocionin të cilin e ka deponuar në Kuvend Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se vështirësitë vetëm sa ia shtojnë vullnetin për punë, ndërkohë thotë se për bindjen e tij, kësaj krize me pandeminë të mos i shtohet edhe kriza politike.
“Unë po e theksoj atë që e përmenda në konferencën. Unë jam kryeministër me vullnet, me program me dije dhe me përvojë të gjatë politike. Jam njeri që s’ndalet para asnjë pengese, dhe vështirësitë vetëm sa ma shtojnë vullnetin për punë. Parashikimet i bëjnë analistët.Bindja ime është që kësaj krize shëndetësore nuk duhet t’ia shtojmë edhe krizën politike”, ka potencuar Kurti, raporton Gazeta Express.
Përveç tjerash, Kurti ka folur edhe për protestat që po bëhen nga shtëpitë si rezultat i irritimit të qytetarëve me klasën politike në Kosovë.
“Unë jam kryeministër. Nuk i kemi ende dy muaj në detyrë. Besoj që këtë periudhë kemi vepruar shumë dhe mirë. Kosovën e kemi gjetur në një gjendje jo të mirë, dhe kur kësaj iu shtua pandemia, mesiguri që të gjithë ne u alarmuam, por besoj që deri sot edhe vlerësimet që kemi marrë si qeveri nga ndërkombëtarët e nga qytetarët nuk janë të pabazuara. Pra ne jemi në ballë të detyrës dhe punojmë aq sa mundemi e aq sa dijmë.
Qyetarët po protestojnë nga shtëpitë e tyre, dhe po e respektojnë kërkesën e qeverisë, ndërkohë po tregojnë që pavarësisht qëndrimit në shtëpi, vitaliteti I tyre si qytetar të republikës nuk rresh asniherë”, ka thënë Kurti.
Kjo deklaratë ka ardhur pasi raportet ndërmjet LDK’së dhe VV’së janë në pikën zero prej kur Albin Kurti e shkarkoi Agim Veliun përmes një njoftimi për medie. Në anën tjetër, LDK’ja e aktivizoi mocionin e mosbesimit të Qeverisë, që po e përkrah edhe opozita.
Tash kur po pritet votimi i mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ka nisur një fushatë e re e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Isa Mustafës, ndonëse më herët edhe Kurti dhe të tjerët i referoheshin kryetarit të LDK’së si “profesor Mustafa” e “akademik”.
Veç kësaj, entuziastët e dy partive, në LDK e VV, e kishin kurorëzuar koalicionin e tyre si “Koalicion i Shpresës”, i cili planifikohej të zgjaste së paku tetë vjet, ndërsa e preku fundin pas 44 ditëve, kur deputetët e partisë së dytë e proceduan mocionin e mosbesimit. Vjosa Osmani ka dalë kundër nismës së LDK’së, duke mos e dhënë votën pro rrëzimit të Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje prej se është themeluar i ka pasur në qendër të kritikave partitë në pushtet e edhe LDK’në. Njerëzit e kësaj partie, nga Kurti dhe anëtarët tjerë të VV’së, janë cilësuar si njerëz të korruptuar dhe të afërt me Thaçin. Pavarësisht se sot në partinë e Albin Kurtit janë disa prej themeluesve të PDK’së.
Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK’ja në këtë kohë janë edhe në një garë elektorale në Podujevë, atje ku po luftojnë se kush do ta udhëheqë komunën. Zgjedhjet atje u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Edhe atje, Lëvizja Vetëvendosje ka garuar me një ish-deputet të LDK’së.
Ka pasur thirrje që të tejkalohen dallimet ndërmjet VV’së e LDK’së në kohën kur i gjithë shteti është në luftë me virusin COVID-19. Megjithatë, këto thirrje janë injoruar nga të dyja partitë. Albin Kurti ka refuzuar ta rikthejë Veliun në Qeveri dhe ta heqë taksën krejtësisht, kurse LDK’ja ka refuzuar ta tërheqë mocionin për rrëzimin e Kurtit.