Komuna e Gjilanit ka shënuar rënie të dukshme të rasteve pozitive me koronavirus. Vetëm një rast nga dy familjet e infektuara në fshatin Vrapçiq rezulton akoma pozitivisht dhe pjesëtarët tjerë janë shëruar. Arbër Ismajli, nënkryetar i komunës së Gjilanit i ka thënë Gazetës Express se momentalisht numri i rasteve pozitive me Covid-19 në këtë komunë është katër.
Pas rasteve të para në muajin mars që u shënuan në Kosovë me koronavirus, komuna e Gjilanit kishte një numër relativisht të lartë të të prekurve.
Nga testimet e dyta dje për koronavirus të dy familjeve me numrin më të madh të të prekurve në fshatin Vrapçiq të komunës së Gjilanit, ata kanë rezultuar negativ. Vetëm një person nga ky fshat vazhdon të jetë pozitiv me Covid-19. Ndërkaq një tjetër person ka vdekur si pasojë e koronavirusit që kishte edhe probleme të tjera shëndetësore.
Arbër Ismajli nënkryetar i komunës ka thënë se deri më tani në total janë 4 raste pozitive në Gjilan
Momentalisht kemi 4 raste pozitive. Njëri është nga qyteti i cili gjendet në klinikë, tjetri është nga Vrapçiqi i cili po ashtu është në klinikë. I vetmi nga dy familjet e prekura që ende vazhdon me qenë pozitiv. Dy personat tjerë kanë ardhur nga Zvicra dhe gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve të cilët janë futur aty menjëherë direkt nga aeroporti dhe nuk kanë vizituar Gjilanin por që kanë prejardhje nga komuna jonë”, ka thënë Ismajli.
Sa i përket masave të reja shtrënguese që ka paralajmëruar kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, nënkryetari Ismajli ka thënë se nuk kanë marrë vendim për mbyllje të të gjitha bizneseve ditën e diel
“Jemi në fazën e shqyrtimit të masave të reja. Do te punojnë ashtu siç kanë punuar, sepse dje kryetari vetëm ka paralajmëruar që është duke u biseduar për këto masa mirëpo ende nuk kemi marrë vendim. Deri në këto momente masat janë të njëjta”, ka thënë ai.
Tutje, Ismajli është shprehur se është shpërndarë vendimi strikt tek operatorët ekonomikë që shërbimet nga bizeneset duhet të kryhen me dorëza dhe maska.
“Para pak ditëve e kemi shpërndarë një vendim i cili precizon strikt se çka duhet të ndërmarrin pronarët, mirëpo edhe qytetarët nuk mund të kryejnë shërbime të blerjes pa dorëza dhe maska e as operatorët ekonomikë nuk kanë të drejtë t’i shërbejnë qytetarët nëse nuk janë të pajisur me mjete mbrojtëse”, ka shtuar Ismajli.
Mbrëmë janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus, duke bërë kështu që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 250. Deri tani, betejën me koronavirusin e kanë humbur shtatë persona, derisa janë shëruar 52 të infektuar./GazetaExpress/