Mikrobiologu Lul Raka ka thënë se rritja e numrit me coronavirus në Kosovë tregon se ndodhemi në udhëkryq të betejës.
Raka në një postim mbrëmë në Facebook shkruan se bashkë me kolegët e tij në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor nuk do t’i lënë qytetarët e Kosovës kurrë vetëm, në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim.
Postimi i plotë:
“TË DASHUR QYTETARË TË KOSOVËS!
Po e lëmë pas një muaj të përballjes me virusin, përfshirë edhe “dy javët e mia”. Ato, në fakt ishin dedikuar vetëm për Juve dhe ishin rasti i parë vendimtar për t’ia prerë kokën virusit.
Numri i sotëm 79 dhe numrat pasues ditorë dyshifrorë na tregojnë së ndodhemi në udhëkryq të betejës me koronavirusin. Tashmë, këta numra do të ndikojnë më shumë në “RRI N’SHPI” sesa mesazhet tona njëmujore.
E kuptoj shqetësimin Tuaj dhe po ashtu edhe fyerjet, talljet dhe kërcënimet e atij dyjavëshi. I kuptoj edhe disa gazetarë, të cilët, megjithatë kanë një dozë pak më të madhe të përgjegjësisë në mjedisin dhe kohën që po e përjetojmë.
Nuk e kam ndërmend të merrem me analizën e injorimit të rrezikut, grumbullimeve familjare, tubimeve ilegale dhe kolonave të automjeteve nëpër pika turistike.
Unë, bashkë me të gjithë kolegët e mi në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor NUK DO T’JU LËMË KURRË VETËM! Në asnjë rrethanë e me asnjë çmim.
Shëndeti Juaj dhe i Familjeve Tuaja do të jetë ideali ynë deri në orët e fundit të këtij rrugëtimi të vështirë e të gjatë.
TANI MË SHUMË SE KURRË KEMI NEVOJË TË QËNDROJMË BASHKË!
SË BASHKU DERI NË FITORE!
ZOTI JU BEKOFTË JUVE DHE TOKËN TONË TË SHENJTË!”, shkruan Raka.