Së fundmi kam biseduar me një numër zyrtarësh dhe përfaqësuesish të Bashkimit Evropian nga vendet anëtare rreth asaj se si do të duket Evropa pas koronavirusit.
Përderisa parashikimet e bëra në topin e kristaltë janë shumë të pasakta tani, unë kam vërejtur disa trende interesante për rrugët që mund të ndjekë kontinenti.
Janë pak gjëra për të cilat pajtohen të gjithë: po, do të ketë shumë dëme dhe errësirë mirëpo Bashkimi Evropian do të dalë prej kësaj krize shëndetësore në një pikë. Vaksina do të zbulohet dhe virusi do të shtypet.
Masat kufizuese do të zbatohen për një kohë dhe mund të rivendosen sërish nëse hiqen para kohe, mirëpo megjithatë do të ketë një rrugëdalje mjekësore.
Çelësi qëndron te mënyra sesi Evropa do të përgjigjet ndaj krizës ekonomike. Këtu unë mund të shpalos tri rrugë të qarta, por shumë të ndryshme, që mund të realizohen, të mbushura me kurthe dhe me kompromise: rritje të federalizmit, përafrim me Kinën dhe epokë të re të proteksionizmit evropian.
Teksa institucionet ndërkombëtare përmendin në vlerësimet e tyre se pandemia me koronavirus do të shkaktojë krizën më të rëndë ekonomike prej Depresionit të Madh të viteve 1930 dhe pas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar për tkurrje ekonomike prej 7,5 për qind në 19 shtete të Eurozonës, është e qartë se diçka duhet bërë.
Bashkimi Evropian është përgjigjur duke shmangur shpenzimet dhe kufizimet buxhetore, pasi javën e kaluar është pajtuar për programet urgjente të huadhënies në vlerë të 540 miliardë eurove, për t’u përballur me ndikimin afatshkurtër në gjithë bllokun.
Ende duhet shumë punë për të kthyer në funksion sërish tregun e përbashkët dhe duket qartë se çështja e bonove të përbashkëta do të vazhdojë të krijojë shqetësime për bllokun, madje mund ta ndajë në pjesën jugore dhe atë veriore – sikurse kishte ndodhur me krizën financiare të një dekade më parë.
Presidenti francez Emmanuel Macron, përkrahës i madh i të ashtuquajturave “bono për koronën”, ka thënë për të përditshmen “Financial Times” javën e kaluar se kjo situatë përbën “momentin e së vërtetës”, i cili do të vërtetojë nëse BE-ja është më shumë sesa treg ekonomik.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e perceptuar e solidaritetit në shtetet si Italia dhe Spanja kërcënon gjithë BE-në me rritje të zemërimit popullist në jug.
Kjo gjë do të trajtohet sërish në një samit të këtij blloku përmes një videokonference këtë javë, mirëpo shtetet veriore mund të hezitojnë në të bërit e kërcimit federalist, pasi ka shqetësime se taksapaguesit e tyre mund të bëhen përgjegjës për huazimet e shteteve tjera dhe një gjë e tillë mund të nxisë reagime populliste në oborrin e shtëpive të tyre.
Madje një zyrtar më ka thënë: “Nuk ka besim në mesin e vendeve anëtare, nuk ka besim në institucione dhe as vizion të përbashkët për të ardhmen”, duke shtuar se “pas secilës krizë BE-ja përballet me plagë të reja. Nuk jam i sigurt se kësaj here plagët do të shërohen shpejt”.
Teksa dallimi në mes të bonove të thesarit italian dhe bonove të sigurta gjermane zgjerohet, Kina është duke shikuar me vëmendje të shtuar. Ndonëse askush nuk më ka thënë se BE-ja do të bjere nën përkrahjen e Pekinit, shumica besojnë se ky shtet do të luajë rol më të madh në të ardhmen e BE-së.
Edhe përpara fillimit të krizës Kina ka qenë duke blerë gjithçka, duke nisur nga klubet e futbollit, më pas portet, linjat hekurudhore, pa harruar edhe nënshkrimin e kontratave për të ofruar shërbimin e gjeneratës së pestë të komunikimeve (5G).
Tani është e zënë me “diplomacinë e maskave”, duke ofruar pajisje për kontinentin e papërgatitur dhe të pakoordinuar për këtë situatë. Por ndonëse një pjesë e pajisjeve ka qenë me kualitet të diskutueshëm dhe shumë nuk u besojnë shifrave të Kinës dhe ekspertizës në luftimin e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi, është e qartë se shumë prej tyre janë duke kërkuar mundësitë që ofron lindja, duke përfshirë Gjermaninë, motorin industrial të klubit, e cila së fundmi ka pranuar rreth 50 milionë maska, pas një marrëveshjeje të nënshkruar në mes të Berlinit dhe Pekinit, që është ndërmjetësuar nga bizneset gjermane.
Frika qëndron te ideja se maskat dhe respiratorët e sotëm mund të kthehen në kredi nesër, nëse BE-ja bie në gjunjë për shkak të krizës ekonomike. Ashtu sikurse më ka thënë një diplomat: Nëse kjo ndodh, jo vetëm periferia e BE-së, por edhe vendet kryesore mund të përballen me një bllok evropian, ku Kina e ka fjalën e fundit.
Mirëpo mund të realizohet edhe një rrugë alternative. Si kampion për globalizim dhe tregti të lirë blloku mund të kthejë shpinën te instinktet internacionaliste teksa përballet me mbështetjen kineze gjatë kësaj kohe.
Shumë nga njerëzit në Bruksel, me të cilët kam biseduar, besojnë se paratë e derdhura në tregun e përbashkët do të ndikojnë në mbrojtjen e “kampionëve evropianë” në fusha të ndryshme. Ekzistojnë diskutime për një politikë industriale më aktive evropiane, e cila mbron industritë kritike ose i merr në menaxhim.
Kjo pasi, nëse Brukseli përfshihet një herë, më pas bëhet i vështirë largimi. Mirëpo teksa e gjithë kjo mund të jetë muzikë për veshin e liderëve të vendeve më të mëdha kontinentale sesa vetëkënaqësi, është e vështirë të kuptohet sesi kombet e vogla evropiane, të orientuara në eksport, mund të përballen me urinë e zinxhirit ndërkombëtar të furnizimeve për një kohë të gjatë.
Secilën rrugë që do ta marrë BE-ja në të ardhmen, vendimet e vështira duhet marrë. Perspektiva e një klubi të pakënaqur – gjithnjë e më i parëndësishëm në rrafshin ndërkombëtar përkrah fuqive të mëdha, mund të kthehet lehtë në realitet pasi të kalojë virusi.