Në ditën e 45 të përballjes me pandeminë Covid-19, shifrat e prekjes me virusin Covid-19 arrijnë në 51 raste gjithsejt dhe numri i rasteve është rritur ditëve të fundit, si pasojë e mosrespektimit të rregullave, rekomandimeve dhe vendimeve të qeverisë, por edhe moszbatimin e masave mbrojtëse.
Kështu ka thënë kryetari Lutfi Haziri, në konferencën për media, cili ka apeluar për vetëpërmbajtje qytetare dhe qëndrim në shtëpi, sepse gjendja e përballjes me këtë sëmundje përkundër që është nën kontroll, ajo është e rrezikshme dhe për këtë jemi të detyruar që të veprojmë me gjoba mandatore, për persona fizikë dënimet janë deri në dy mijë euro e për ata juridik deri në 8 mijë euro.
“Hyrja e një qytetari në zonën e karantinës, në familjen e karantinuar, për motive familjare dhe mosdistancimi, ka bërë që ajo ta bartë pastaj infeksionin në familjen e saj. Pastaj prej familjes së origjinës është bartur në familjet tjera, që në përshkrim dhe rrugëtim me kontaktet e zgjeruara pastaj kemi arritur në këtë shifër prej 51 rasteve”, ka njoftuar kryetari Haziri.
Ai ka renditur një numër të madh të shkeljeve që po bëhen në vazhdimësi dhe ka konfirmuar se dënimet mandatore do të jenë të domosdoshme për t’u vënë në vend rendi dhe rregulli.
“Përdorimi i masave mbrojtëse është duke u neglizhuar. Shumica e shërbimeve edhe në disa markete të mëdha është duke u ofruar pa masa mbrojtëse. Punëtorët që shesin produktet, por edhe blerësit është e obligueshme dhe e domosdoshme të përdorin, maska dhe dorëza. Inspeksioni komunal do të vepron me gjoba direkte për të gjithë ata që thejnë rregullat”, ka theksuar kryetari Haziri.
Ai ka thënë se edhe daljet e qytetarëve në rrugë në këtë fazë janë shumë më të mëdha, sepse siç ka bërë të ditur ai, numri i ID dhe lejet e veçanta që kemi lëshuar nuk korespondojnë me numrin aq të madh të qytetarëve në rrugë.
“Në bashkëpunim me Policinë e shtetit dhe me kompetencat shtesë të inspektorëve do të ketë rritje të aktivitetit dhe kontroll edhe më strikt për daljet e qytetarëve. Prandaj qëndroni në shtëpi dhe respektoni rregullat”, ka porositur ai.
Njëkohësisht ka dhënë edhe informatat shtesë për gjendjen e të prekurve, duke spikatur rëndësinë e bashkëpunimit dhe vetpërmbajtjen.
“Fatkeqësisht e gjithë familja nga fshati Livoç i Epërm është në Spitalin e Infektivës. Në jemi në kontakt të vazhdueshëm më mjekët që të menaxhojmë shëndetin e tyre. Deri tani nga këto 51 raste, 18 janë të shëruar plotësisht, një i vdekur fatkeqësisht, në hospitalizim janë 10 raste dhe në shtëpi janë 22 raste. Një familje është e izoluar në lagjen Arbëria, pastaj një tjetër në Livoç të Epërm, një në lagjen Deremahallë dhe një në dheun e bardhë”, ka thënë kryetari Haziri.