Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se përqindja e rritjes në numrin e rasteve me koronavirus ka rënë nën 4%, derisa para 15 prill ishte 27 %.
Ai ka thënë se falë masave të 15 prillit është arritur ky progres i jashtëzakonshëm.
Kurti ka bërë thirrje që virusi të merret me më shumë seriozitet dhe të bëni kujdes të shtuar ndaj pastërtisë dhe distancës në mënyrë që sakrificat tona të deritanishme të kenë kuptim dhe që pandemia të mos shpërthejë përsëri.
Postimi:
Të dashur qytetarë,
Falë masave të 15 prillit dhe bashkëpunimit të një shumice të madhe prej jush, përqindja e rritjes në numrin e rasteve ka rënë nën 4%. Kjo nënkupton se qytetarët e infektuar po e transmetojnë virusin te shumë më pak persona të tjerë në krahasim me periudhën para 15 prillit, kur rritja ditore kishte shkuar deri në 27%. Dje, për herë të parë që nga ardhja e Koronavirusit në Kosovë, numri i të shëruarve ishte dyfish më i madh sesa numri i rasteve të reja, me 35 persona të shëruar. Kemi shënuar progres të jashtëzakonshëm, progres i cili po shpresojmë që të vazhdojë në javët e ardhshme.
Mirëpo, sado që ky është lajm i mirë për të gjithë, vazhdimi i këtij përmirësimi nuk varet vetëm prej Qeverisë, por varet edhe prej të gjithë neve bashkë. Nuk duhet ta lejojmë që progresi i deritanishëm të na relaksojë, sepse kjo do të rrezikonte të kthejë mbrapsht krejt këtë progres. Virusi nuk e fal askënd. Studimet më të fundit tregojnë se, edhe në rast të shërimit, dëmi që ia bën virusi mushkërive mund të jetë i pariparueshëm. Pra, po përballemi me një sëmundje që dëmton ndër organet më të rëndësishme të trupit; shëndeti i mushkërive është vital po aq sa shëndeti i zemrës dhe trurit.
Personalisht kam pasur një përvojë të vështirë me sëmundje në mushkëri në shkurt të vitit 2019. Si Kryeministër, por edhe si qytetar, unë e marr virusin Corona me shumë seriozitet. Nuk kemi të bëjmë me një grip të thjeshtë siç thonë disa. Le të vazhdojmë të tregojmë kujdes të shtuar ndaj pastërtisë dhe distancës në mënyrë që sakrificat tona të deritanishme të kenë kuptim dhe që pandemia të mos shpërthejë përsëri duke na kthyer në pikën zero.
Na duhet bashkëpunimi jo vetëm i shumicës, por i të gjithëve. Ndaras nuk kemi si ta fitojmë këtë betejë, por bashkë, të gjithë bashkë, dhe fitorja është e garantuar.