Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka konfirmuara atë që para pak orëve ka transmetuar Reporteri lidhur me hapjen e kafeterive, resturataneve.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Vitia tha se aktualisht kanë vendosur që nëse gjithçka shkon në rregull, kafet fillojnë hapjen nga data 1 Qershor. Shoqata e gastronomëve të Kosovës ka takuar sot ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilin kanë biseduar lidhur me zvogëlimin e masave dhe hapjen e ngadaltë të bizneseve.
Ai tha se pas takimit që sot ka pasur me Odat ekonomike dhe Shoqatën e Gastronomëve, është menduar që hapja e kafeterive dhe restuaranteve të mund të fillojë më 1 qershor.
Por ai theksoi se edhe në këtë rast do të ketë masa që nënkupton se numri i tavolinave do të kufizohet, distanca do të ruhet mes tavolinave si dhe personave në të njëjtën tavolinë. Kur është pyetur për klubet e natës dhe ahengjet tjera në masë ka thënë se është herët të flitet, sikurse që e njëjta vlen edhe për pishinat dhe aeroportet.
Reporteri.net mëson se është diskutuar që kafet dhe restorantet të fillojnë të shërbejnë kafe take away që nga mesi i majit. Kujtojmë se masat kufizuese aktuale ku qytetarët kanë drejtë të dalin vetëm 1 orë e gjysmë janë deri më 4 maj. Ndërsa edhe përkundër paralajmërimeve se Prishtina do të largohet nga karantina, ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë. /Reporteri.net