Mbi 60 punëtorë shëndetësorë nga sektori publik të prekur nga COVID-19, 135 të tjerë të izoluar.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për RTV Dukagjinin se numri i punëtorëve shëndetësor të sistemit publik ka shkuar mbi 60.
“Me rastet e ditës së sotme numri i punëtorëve shëndetësorë të izoluar ka shkuar mbi 135”, tha Syla, përcjell Telegrafi.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës thotë se duhet urgjentisht të behën trajnime për punëtorët shëndetësorë në mënyrë që të mbrohet jeta e tyre dhe e qytetarëve.
“Fokusimi ka qenë vetëm në Klinikën Infektive dhe në Institutin e Shëndetit Publik, ndërsa nëpër institucionet tjera mbështetja ka munguar”.
Syla thotë se ka sugjeruar që në vendet ku bëhen operacione të merren më shumë mostra dhe të procesohen më shpejt.
“Shumica e rasteve të fundit janë duke u paraqitur në Emergjencë e Gjinekologji. Pra kemi situata të papritura. Duhet të kryhen testimet dhe të shohim gjendjen ku jemi. Nuk duhet të mashtrohemi me situatën aktuale”.
Ai thotë se nuk ka pasur koordinim të mirë mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve tjera shëndetësore.
“Janë bërë gabime qysh në fillim kur nuk janë mbrojtur mjekët qysh nga dogana deri tek aeroporti. Pastaj nuk janë mbrojtur punëtorët shëndetësorë në mjekësinë primare”, deklaroi ndër të tjera Blerim Syla