Në Klinikën Infektive janë të shtrirë gjithsej 12 pacientë të infektuar me virusin korona.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti në raportin 24 orësh, shkruan Reporteri.
Hoti njofton se tetë pacientë janë në gjendje stabile, katër në gjendje më të rëndë, ku dy janë me oksigjenoterapi ndërsa dy në kujdesin intensiv.
Ndërkaq siç njofton ai, tre pacientë të tjerë të cilët kanë rezultuar negativ në Covid-19 e vazhdojnë mjekimin në klinikë, kurse 3 të tjerë janë në pritje të rezultateve për SARS-Cov-2 (Covid-19).
Kujtojmë se numri i rasteve të konfirmuara me sëmundjen COVID-19 ka arritur në 955. Por, jo të gjitha rastet janë aktive. Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, vetëm 235 raste janë aktualisht aktive.
Mbrëmë janë konfirmuar 10 raste të reja me koronavirus në Kosovë. Nga testimi i gati 240 mostrave, pozitivë kanë dal disa banorë të Vushtrrisë, Ferizajt dhe nga një banor i Prishtinës dhe Prizrenit. /Reporteri.net