Lufta ndaj sëmundjes vdekjeprurëse COVID-19 në Kosovë tashmë është drejt fundit, kjo pasi edhe numri i personave të shëruar nga ky virus është shumëfish më i madh se i të infektuarve.
Njëjtë ka ndodhur edhe mbrëmë, ku në raportin e IKSHPK-së u tha se vetëm një person rezultoi pozitiv me COVID-19, ndërsa 15 të tjerë të shëruar.
Në anën tjetër, lajm po ashtu pozitiv vjen nga Klinika Infektive, nga ku raportojnë se me koronavirus në këtë klinikë janë duke u trajtuar vetëm shtatë persona.
Siç thuhet në njoftimin e QKUK-së, nga shtatë personat që po trajtohen, tre janë në gjendje stabile, ndërsa dy të tjerë janë me oksigjenoterapi.
Përveç tyre, dy pacientë kanë gjendjen e rëndë shëndetësore, kurse dy të tjerë të shëruar pritet të lirohen sot nga Klinika
“3 raste janë në gjendje stabile, 2 raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe në përkujdesje intensive, si dhe 2 raste janë në gjendje më të rënduar, duke u trajtuar në repartin e Mjekimit Intensiv, njëri prej tyre është në gjendje kritike dhe në ventilim mekanik. Sot nga Klinika lirohen 2 pacientë të shëruar”, thuhet në njoftim.