Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme është takuar me homologun e tij në Shqipëri, Ilir Meta.
Thaçi ka njoftuar se në takim kanë shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për të kaluar pasojat e pandemisë.
“Me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Metën, sot bisedova për rikthimin në normalitet të plotë të jetës së qytetarëve të dy shteteve tona. Sa më shpejt që dy qeveritë e rifillojnë bashkëpunimin, aq më shpejt do t’i rimëkëmbim edhe ekonomitë e vendeve tona”, ka shkruar Thaçi.
Ai po ashtu në takim ka bërë të ditur se është biseduar edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, e në veçanti për dialogun me Serbinë.
“Ne biseduam edhe për rëndësinë rifillimit të dialogut me Serbinë, i cili presim t’i përmbyllë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë dhe të sjellë njohje reciproke ndërshtetërore.
Kosova dhe Shqipëria kanë qenë gjithmonë në krahë të njëra-tjetrës dhe si të pandara duhet ta vazhdojnë rrugën e integrimit euroatlantik!”, ka shkruar Thaçi.